Belgët do të donin të dilnin më herët në pension, veçanërisht të rinjtë
- Banorët e Belgjikës konsiderojnë se mosha ideale për pension është 60 vjeç, edhe pse mosha ligjore e pensionit në vend është 65 vjeç, tregojnë rezultatet e hulumtimit të rrjetit global të specializuar të burimeve njerëzore SD Works me seli në qytetin belg Antverp.
Bruksel, 4 gusht 2024 (MIA) - Banorët e Belgjikës konsiderojnë se mosha ideale për pension është 60 vjeç, edhe pse mosha ligjore e pensionit në vend është 65 vjeç, tregojnë rezultatet e hulumtimit të rrjetit global të specializuar të burimeve njerëzore SD Works me seli në qytetin belg Antverp.
Megjithatë, rrjeti thekson se mosha e dëshiruar e daljes në pension është rritur në 20 vitet e fundit, duke pasur parasysh se në një anketë të ngjashme në vitin 2004, belgët mendonin se pensioni duhet të ishte 56 vjeç.
Sipas drejtorit të Qendrës së Trajnimit SD Works, Bart Polentie, kjo tendencë rritëse në moshën e dëshiruar të pensionit është për faktin se autoritetet u kanë thënë punonëtorëve prej disa kohësh se "do të duhet të punojnë më gjatë".
“Presim të punojmë pesë vjet më shumë se sa mendojmë se është ideale”, shton Polentie.
Ai thekson se hulumtimi tregon se mosha e dëshiruar e pensionit ndryshon në varësi të grupmoshave të të anketuarve, ku të rinjtë mesatarisht dëshirojnë të dalin në pension më herët.
"Sa më i ri të jetë njeriu, aq më herët dëshiron të dalë në pension", shton Polentie.
Aktualisht mosha e daljes në pension në Belgjikë është 65 vjeç, por nga 1 shkurti 2025 do të rritet në 66 dhe më pas nga 1 shkurti 2030 do të jetë 67 vjeç.
Megjithatë, përkundër ndryshimeve në dëshirat e njerëzve dhe situatën reale, analizat tregojnë edhe dallime ndërmjet moshës ligjore dhe asaj reale të pensionit. Sipas të dhënave nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), në vitin 2022 mosha aktuale e daljes në pension në Belgjikë ishte 61 vjeç, pavarësisht parashikimit ligjor prej 65.
Nga ana tjetër, jetëgjatësia mesatare në Belgjikë është rritur nga 78,3 vjet në 2003 në 82,3 vjet në 2023. Sipas ekspertëve, për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, është jetike rritja e shkallës së punësimit tek kategoritë e qytetarëve nga 55 deri në 64 vjeç. Ata vlerësojnë se për të përmbushur kostot e rritura të jetesës më gjatë deri në vitin 2050, shkalla e punësimit në mesin e belgëve të moshuar do të duhet të rritet me 69,2 për qind.
Sipas Polentie, çelësi për arritjen e këtij qëllimi është të sigurohet që njerëzit të jenë në vende pune që i bëjnë ata të lumtur, pasi analizat tregojnë se qëndrimet për kohëzgjatjen e jetës së punës varen nga kënaqësia në punë.
Ai thekson se hulumtimi tregoi se ata që "gjetën kënaqësi në punën e tyre" duan të punojnë më gjatë dhe konsiderojnë se kohëzgjatja ideale e stazhit të punës është 30 vjet, për dallim nga njerëzit që janë më pak të kënaqur ose të pakënaqur me punën e tyre dhe që dëshirojnë të punojnë 25 vjet.
"Është përgjegjësi e përbashkët e punëdhënësve dhe punëtorëve që të gjejnë mënyra që puna të shkaktojë kënaqësi edhe pas moshës 55 vjeçare, beson Polentie. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s