• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Bekteshi me llogaridhënie për atë që është punuar në mandatin e tij shtatëvjeçar

Bekteshi me llogaridhënie për atë që është punuar në mandatin e tij shtatëvjeçar

Shkup, 20 qershor 2024

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi sot në një konferencë për media doli me llogaridhënie për punën e bërë në shtatë vitet e fundit të mandatit të tij.

Në vijim ua përcjellim fjalimin e plotë të ministrit Bekteshi

Si fillim dua të falënderohem për bashkëpunimin e shkëlqyer që kam pasur me ju në shtatë vitet e fundit si ministër i Ekonomisë, të gjithë gazetarëve me të cilët kam bashkëpunuar gjatë mandatit tim dhe që kanë qenë një nga hallkat kyçe në marrjen e vendimeve dhe masave në Ministrinë e Ekonomisë.

Dua të falënderohem për besimin që shtatë vjet më parë më është dhënë për të udhëhequr këtë ministri, së pari kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili më propozoi për këtë post, si dhe katër kryeministrave (dy teknikë) që drejtuan Qeverinë gjatë kësaj periudhe, kryesisht gjatë periudhave më të trazuara dhe më të vështira ekonomike që nga pavarësia e vendit.

Sa i suksesshëm ka qenë udhëheqja ime mund të tregojnë vetëm masat, reformat, aktivitetet dhe, sigurisht në fund, numrat në shtatë vitet e fundit, të cilat sot të paktën një pjesë të tyre do t'jua prezantoj.

Në shtatë vitet e fundit qëkur jam në krye të këtij institucioni, janë bërë ndryshime thelbësore për të përmirësuar klimën e biznesit në vend, por edhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve.

Me ndryshimet ligjore në sektorin e energjetikës, kemi bërë reforma kyçe për stabilitetin energjetik në shtet.

Derisa me ndryshimet ligjore për mbështetjen e investimeve, hapëm rrugën për rritje dhe zhvillim edhe më të madh të ekonomisë.

Me reformat themelore që kemi bërë në shtatë vitet e fundit, por edhe në periudhën e kaluar të krizës shëndetësore, energjetike, të çmimeve dhe ekonomike, me masat që kemi miratuar, kemi luftuar për të ruajtur çdo vend pune dhe për të siguruar kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët.

Dua të numëroj një pjesë nga projektet dhe reformat e realizuara në shtatë vitet e fundit:

- Miratuam Ligjin për energjetikë dhe bëmë reformë të plotë të sektorit energjetik në shtet - Miratuam Ligjin për efikasitet energjetik, me të cilin transponohet rregullativa evropiane në këtë sektor

- Miratuam Strategjinë për energjetikë të Maqedonisë së Veriut 2020-2040, me të cilën hapet rruga për tranzicionin energjetikë të vendit

Në përputhje me pakon e gjelbër energjetike në procedurë qeveritare dhe parlamentare janë Ligji i ri për energjetikë, Ligji i ri për burime të ripërtërishme të energjisë dhe Ligji i ri për efikasitet energjetike.

- Filluam cikël të ri investimesh në fushën e burimeve të ripërtërishme të energjisë: Numri i përgjithshëm i elektrocentraleve nga BRE që kanë licencë për prodhimin e energjisë elektrike deri në viti 2023 është 1147 me kapacitet të përgjithshëm prej 1311 MË. Mund të themi se në vitet e kaluara, politika që u krijua ka çuar në rritje të konsiderueshme dhe ndërtimin e impianteve elektroenergjetike për prodhimin e energjisë elektrike nga BRE. Kemi rritur kapacitetin e instaluar për 600 MË që nga viti 2017, shumica e të cilave janë termocentrale fotovoltaike. Prodhimi i energjisë elektrike nga BRE tani merr pjesë me 33% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në shtet

- Përmes programit për efikasitet energjetik për shtatë vjet përmes janë mbështetur 10.000 amvisëri përmes masave për subvencioneit për zëvendësimin e dritareve PVC ose të aluminit, subvencioneve për kolektorë diellorë dhe centraleve fotovoltaike për amvisëritë. Në këtë periudhë, për masat e lartpërmendura janë ndarë më shumë se 400 milion denarë, gjë që kontribuoi ndjeshëm për amvisëri më efikase energjetike, si dhe në rritjen e shfrytëzimit të burimeve të ripërtërishme nga amvisëritë.

- Gjithashtu gjatë krizës energjetike për dy vitet 2022 dhe 2023, janë ndarë rreth 120 milionë mbështetje buxhetore për subvencione për uljen e llogarive të energjisë elektrike për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve.

- Miratuam Ligjin për mbështetje financiare të investimeve, me të cilin jepet mbështetje e fortë për investimet vendore dhe të huaja. Gjithsej 919 kompani kanë investuar mbi 500 milionë euro në gjashtë vitet e fundit, e për to janë paguar 100 milionë euro mbështetje financiare shtetërore

- Miratuam Ligjin për investimet strategjike, me të cilin u krijuan kushte për realizimin e projekteve strategjike në vend

- Nëpërmjet ndryshimeve në Ligjin për automjetet motorike, kemi vendosur subvencione për pajisjet me gaz në automobilat dhe afishet për kategorizimin ekologjik të automjeteve. Me masën për subvencionimin e automjeteve për GNL të integruar janë paguar mbi 23 milionë denarë (380 mijë euro) për mbi 1.400 qytetarë.

- Miratuam Ligj të ri për mbrojtjen e konsumatorëve me të cilin u përmirësua cilësia e jetës së qytetarëve dhe siguron që të gjithë qytetarët të gëzojnë standarde të larta të mbrojtjes së konsumatorëve - Miratuam ndryshime në Ligjin për lëndët e para minerale me të cilat mundësohet siguri më e madhe dhe shëndet të qytetarëve, ndërsa hartuam edhe Strategji për lëndët e para minerale 2025-2045. Janë lëshuar 123 leje për eksploatimin e lëndëve të para minerale , janë zbatuar disa procedura për heqjen e koncesioneve për eksploatim, janë miratuar 144 vendime për ndërprerjen e njëanshme dhe përfundimin e vlefshmërisë së marrëveshjeve për koncesione për eksploatim

- Hapëm laboratorin e parë shtetëror për testimin e cilësisë së karburantit në vend.

- Kemi rritur në mënyrë të dukshme mbështetjen për biznesin

Përmes Programeve për mbështetjen e sipërmarrësisë dhe inovacionit në kompanitë e vogla dhe të mesme, për shtatë vjet, është dhënë mbështetje e përgjithshme financiare prej 202 milion denarë, ndërsa janë mbështetur 1.923 kompani përmes masave për mbështetjen e sipërmarrësisë së grave, certifikimit, projekteve dhe aktiviteteve programore të fondacioneve, shoqatave, odave zejtare, rrjeteve të engjëjve të biznesit.

Nëpërmjet programeve për mbështetjen e industrisë përpunuese dhe përgjegjësisë shoqërore, janë realizuar masa me vlerë 61.3 milion denarë, dhe janë mbështetur 190 kompani, klastere dhe shoqata për trajnimin e të punësuarve në industrinë, specializim të mençur, akreditim të laboratorëve dhe vendosjen e standardeve.

Vetëm me masën për mbështetjen e kompanive për ballafaqim me efektet negative të Kovidit janë mbështetur gjithsej 400 ndërmarrje me 18 milionë euro.

- Në mënyrë drastike është rritur mbështetja për turizmin, veçanërisht përmes masës për vauçerë kuponë për turizmin vendor, përmes të cilave kemi mbështetur edhe kapacitetet turistike vendore.

Që nga fillimi i realizimit të kësaj mase në vitin 2018, e deri më tani Ministria e Ekonomisë ka dhënë mbështetje të përgjithshme prej 770 milionë denarësh, ndërsa janë lëshuar mbi 120.000 vauçer kuponë për turizëm për punëtorët me të ardhura të ulëta.

Mbi 50 dyqane nga Çarshinë e Shkupit morën mbështetje të përgjithshme financiare prej 4 milion denarësh për të unifikuar dollapët e tyre, e gjatë krizës së Kovidit, ku sektori i gastronomisë pësoi goditjen më të madhe, janë siguruar pothuajse 300 milion denarë për grante për restorante, kënde për lojëra, agjenci turistike, ciceronë turistikë.

Arritëm të përballojmë me sukses krizën e çmimeve që ndodhi gjatë KOVID-19, por edhe krizën energjetike, ku çmimet e produkteve themelore ushqimore u rritën në mënyrë drastike

- Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë janë miratuar 25 vendime për kufizimin e çmimeve të produkteve themelore ushqimore, kufizimin e marzhit të produkteve të caktuara, si dhe heqjen e detyrimeve doganore për produkte të caktuara ushqimore, me qëllim mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve nga kriza e çmimeve.

Si rezultat i masave që kemi miratuar, arritëm të ulim inflacionin nga 19,5% në nëntor të vitit 2022 në 3,1% në fund të vitit të kaluar.

Për këtë qëllim për herë të parë në vend u miratua Ligji për praktikat e padrejta tregtare. Në shtatë vitet e fundit janë miratuar dhjetëra ligje, qindra akte nënligjore, rregullore, mijëra aktvendime me qëllim të përmirësimit të klimës së biznesit në vend.

Këto janë vetëm një pjesë e aktiviteteve që, si ministër i Ekonomisë, së bashku me të gjithë të punësuarit, arritëm t'i realizojmë në shtatë vitet e fundit.

Dua që në fund t'i falënderoj të punësuarit në Ministrinë e Ekonomisë, pa punën vetëmohuese e të cilëve nuk do t'i kishim realizuar të gjitha këto masa dhe projekte me qëllim të përmirësimit të jetës së të gjithë qytetarëve.

Ministria e Ekonomisë

_________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR