• e martë, 24 dhjetor 2024

Bekteshi: Çmimi i energjisë elektrike që ofroi EMV nuk është joreal, por vendim me përgjegjësi

Bekteshi: Çmimi i energjisë elektrike që ofroi EMV nuk është joreal, por vendim me përgjegjësi
Shkup, 26 qershor 2022 (MIA)- Çmimi i energjisë elektrike që ofron EMV prej 48 euro për megavat orë nuk është joreal në rrethana të tilla, më së paku politik, por ky është një vendim me përgjegjësi, vlerëson ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Ai në postimin në Fejsbuk thekson se çmimi mesatar për megavat orë energji elektrike për periudhën korrik- dhjetor 2022 në bursë është rreth 350 euro. “Në kushtet e krizës energjetike si Qeveri e përgjegjshme, gjithmonë plotësojmë nevojat e qytetarëve dhe ashtu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, ka thënë ministri. Bekteshi ka potencuar se me masat e deritanishme të Qeverisë janë rimbursuar 80 për qind te faturave të energjisë elektrike për amvisëritë dhe mbi 60 mijë kompani. “Ne do të vazhdojmë edhe më tutje për të mbrojtur qytetarët nga goditjet e çmimeve”, thekson mes tjerash Bekteshi. EMV ka qenë ofertuesi i vetëm në ankandin për prokurim të energjisë elektrike për plotësimin e nevojave të konsumatorëve për periudhën korrik-dhjetor 2022 të shpallur nga EVN Home si furnizues i përgjithshëm i energjisë elektrike, duke ofruar çmim prej 48 euro për megavat orë që është 17 për qind më e lartë se ajo paraprake. “SHA EMV si ofertuesi më i volitshëm dhe i vetëm nëpërmjet ankandit elektronik i ofroi EVN Home çmim të shitblerjes prej 48 euro për megavat orë, ndërsa do të mbulojë 100 % të sasisë së përgjithshme të planifikuar. Ky çmim i shitblerjes prej 48 euro për megavat orë për periudhën korrik-dhjetor është për 17% më i lartë  se çmimi i mëparshëm i cili u ofrua në tenderin e fundit të Furnizuesit Universal (janar-qershor 2022), kur SHA EMV ofroi çmim të shitblerjes prej 41 euro për megavat orë për nevojat e përgjithshme të planifikuara të EVN Home si Furnizues Universal”, informuan nga EVN Maqedoni.

QËNDRONI TË LIDHUR