• e shtunë, 21 dhjetor 2024

BE-ja vendosi sanksione edhe ndaj 28 personave të tjerë për lidhje me represionin në Bjellorusi

BE-ja vendosi sanksione edhe ndaj 28 personave të tjerë për lidhje me represionin në Bjellorusi

Bruksel, 5 gusht 2024 (MIA) - Këshilli i BE-së sot solli vendim për masa kufizuese për 28 persona të tjerë për shkak të rolit të tyre në represionin e brendshëm dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Bjellorusi.

Sanksionet e reja përfshijnë dy zëvendësshefa të Sektorit kryesor për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (HUBAZIK) të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Bjellorusisë, disa gjyqtarë dhe prokurorë, drejtues të burgjeve, si dhe disa mbështetës të njohur të regjimit të presidentit të Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko.

Sipas BE-së, HUBAZIK është një nga organet kryesore për persekutimin politik në Bjellorusi, përfshirë edhe arrestimet arbitrare dhe të paligjshme, keqtrajtimet dhe torturat e aktivistëve të opozitës dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Gjyqtarët dhe prokurorët e vendosur në listën e të sanksionuarve kanë qenë pjesë e proceseve gjyqësore në të cilat janë shqiptuar dënime të motivuara politikisht, përfshirë ato kundër pjesëmarrësve në protestat për zgjedhjet jodemokratike presidenciale në 2020 ose kundër njerëzve që thjesht shprehnin mendimin e tyre kundër regjimit të Lukashenkos.

Gjithashtu, janë vendosur masa restriktive ndaj drejtuesve të disa institucioneve korrektuese, përfshirë edhe një burg hetimor.

Në listën e të sanksionuarve janë drejtoresha e përgjithshme e agjencisë më të madhe shtetërore të lajmeve Agjencia telegrafike bjelloruse (BelTA), Irina Akuloviç, drejtuesja e emisionit "Senat" në televizionin STV dhe kryetare e Këshillit rinor në Asamblenë kombëtare të Bjellorusisë, Mikita Rahiluski, si dhe ish shefi i Pres shërbimit të Lukashenkos dhe drejtor i përgjithshëm i BelTA, Dmitri Zhuk. Të tre konsiderohen si mbështetës prej kohësh të Lukashenkos me çka edhe kanë pasur përfitime personal nga regjimi.

"Këta propagandues të regjimit publikut bjellorus në mënyrë vullnetare i japin informacion të rrejshëm për represionin e kryer nga autoritetet shtetërore, përhapin dezinformata të fabrikuara nga autoritetet bjelloruse dhe ruse dhe nxisin urrejtje ndaj opozitës demokratike dhe shoqërisë civile", thuhet në kumtesën e Këshillit të BE-së.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR