• e premte, 05 dhjetor 2025

BE-ja thjeshton procedurën e deportimit për migrantët e paligjshëm

BE-ja thjeshton procedurën e deportimit për migrantët e paligjshëm

Bruksel, 12 mars 2025 (MIA) - Komisioni Evropian ka propozuar një rregullore për krijimin e një sistemi të përbashkët evropian të kthimit, i cili do të mundësojë procedura më të shpejta, më të thjeshta dhe më efikase për deportimin nga BE-ja të migrantëve ilegal dhe personave të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, përfshirë hapjen e “Qendrave të Kthimit” në vendet e treta.

Sipas Komisarit Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Bruner, është një grup procedurash efikase dhe moderne për kthimin e emigrantëve të paligjshëm.

"Këto rregulla janë themelore për mbrojtjen e zonës së lëvizjes së lirë të BE-së pa kufij të brendshëm. Me sistemin e ri evropian të kthimit, ne do të sigurojmë që ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE të kthehen", theksoi Bruner.

Sipas tij, ky Sistem i Përbashkët Evropian do të forcojë ndjeshëm edhe besimin në politikat e BE-së për azilin dhe migracionin.

Kuadri i ri ligjor për kthimin plotëson Paktin për Migracionin dhe Azilin, të miratuar vitin e kaluar, me të cilin BE-ja përcaktoi një qasje gjithëpërfshirëse për adresimin e sfidave të lidhura me migracionin.

Sipas statistikave, aktualisht vetëm rreth 20 për qind e njerëzve që nuk kanë të drejtën e qëndrimit të ligjshëm në vendet anëtare të BE-së deportohen nga BE-ja.

Qëllimi i rregullave të reja është krijimi i një kuadri ligjor modern dhe më të thjeshtë, i cili do t'u sigurojë vendeve anëtare të BE-së mekanizmat e nevojshëm për kthimin më efikas të migrantëve të paligjshëm me respekt të plotë të të drejtave themelore të njeriut.

Propozimi, ndër të tjera, parashikon futjen e procedurave të përbashkëta për nxjerrjen e vendimeve të kthimit dhe urdhrit evropian të kthimit, njohjen reciproke të vendimeve të kthimit të lëshuara nga shtetet anëtare dhe vendosjen e rregullave të qarta për kthimin e detyruar dhe inkurajimin e kthimit vullnetar.

Masat parashikojnë gjithashtu rregulla specifike për personat që përbëjnë rrezik sigurie, ripranimin si pjesë e procesit të kthimit, si dhe hapjen e "Qendrave të Kthimit", të cilat, bazuar në një marrëveshje dypalëshe ose të nivelit të BE-së, mund të krijohen edhe në vende që nuk janë anëtare të Unionit, me kusht që të respektojnë standardet ndërkombëtare dhe parimet e të drejtave të njeriut në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Dispozitat e Paktit për Migracionin dhe Azilin, i cili do të hyjë në fuqi në mesin e vitit 2026, parashikojnë përpunim më të shpejtë dhe më efikas të kërkesave për azil dhe sistemi i propozuar rishtazi do të lejojë azilkërkuesit e refuzuar të dëbohen menjëherë nga BE-ja. Propozimi i ri për një rregullore synon të zëvendësojë Direktivën ekzistuese të Kthimit nga viti 2008, e cila u përditësua dhjetë vjet më vonë. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR