• e diel, 22 dhjetor 2024

BE-ja nuk do t'i njohë autoritetet e vendosura me grushtshtetin në Niger

BE-ja nuk do t'i njohë autoritetet e vendosura me grushtshtetin në Niger

Bruksel, 29 korrik 2023 (MIA) - Bashkimi Evropian "nuk i njeh dhe nuk do t'i njohë autoritetet e vendosura me grushtshtetin" në Niger dhe menjëherë i ndërpret të gjitha aktivitetet e bashkëpunimit në sferën e sigurisë me vendet e Sahelit, deklaroi sot përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhozep Borel. 

Presidenti i Nigerit, Mohamed Bazum, i cili u ndërrua me grushtshtet, "u zgjodh në mënyrë demokratike dhe për këtë arsye mbetet presidenti i vetëm legjitim i Nigerit", thuhet në deklaratën e Borelit, duke shtuar se Bazum duhet të "lirohet pa kushte dhe pa shtyrje". 

Përveç suspendimit të gjithë ndihmës buxhetore, menjëherë do të suspendohen edhe të gjitha aktivitetet për bashkëpunim në sferën e sigurisë në kohë të pacaktuar, shtoi Boreli. 

Ndërsa Bashkimi Afrikan (BA), në një kumtesë të lëshuar pas mbledhjes së mbrëmshme të Këshillit të Organizatës Panafrikane, kërkoi që ushtarët e Nigerit "të kthehen menjëherë" në kazermat e tyre dhe brenda maksimumi 15 ditë "të rivendoset autoriteti kushtetues" në vend, pas grushtshtetit kundër presidentit Mohamad Bazum.

Ushtria e Nigerit organizoi grushtshtet të mërkurën dhe që atëherë e mban të burgosur në pallatin presidencial presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Bazoum. Kreu i gardës presidenciale të Nigerit, gjenerali Abdurrahman Çijani, i cili udhëhoqi grushtshtetin, njoftoi dje se u bë lider i këtij vendi të Afrikës Perëndimore me vendim të ushtarëve të tij. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR