• e martë, 05 nëntor 2024

BE-ja ka vendosur sanksione kundër gjashtë personave për shkelje të të drejtave të njeriut në Rusi dhe Ukrainë

BE-ja ka vendosur sanksione kundër gjashtë personave për shkelje të të drejtave të njeriut në Rusi dhe Ukrainë

Bruksel, 8 shtator 2023 (MIA) - Këshilli i BE-së vendosi sot  sanksione kundër gjashtë personave përgjegjës për "shkelje serioze të të drejtave të njeriut në Federatën Ruse dhe në territoret e Ukrainës të pushtuara përkohësisht nga Rusia, duke përfshirë shkeljen e lirisë së mendimit dhe shprehjes".

Siç njofton raportuesi special i MIA-s nga Brukseli, në mesin e të gjashtëve janë prokurorë dhe gjyqtarë në "gjykatat e krijuara nga forcat okupuese ruse të Krimesë së aneksuar ilegalisht", të cilët morën pjesë në "procedurat gjyqësore të motivuara politikisht" kundër gazetarit Vladislav Jesipenko, i cili u dënua me gjashtë vjet burg kundër liderit të tatarëve të Krimesë, Nariman Xhelalov.

"Regjimi rus përdor gjyqësorin e vendit si mjet për shkelje të shumta serioze të të drejtave të njeriut. Sistemi gjyqësor nuk është i pavarur dhe përdoret për të shkelur në mënyrë sistematike dhe serioze të drejtat e njeriut të individëve që janë kundër regjimit në pushtet duke cenuar lirinë e tyre të mendimit dhe të shprehjes", thuhet në kumtesën e Këshillit Evropian.

Në listën e gjashtë të sanksionuarve të rinj janë edhe dy anëtarë të Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB), të cilët ose morën pjesë në torturën e Jesipenkos ose drejtuan hetimet në rastin e tij dhe në rastet kundër anëtarëve të komunitetit tatar të Krimesë dhe Dëshmitarëve të Jehovait në Krime.

Në kumtesë theksohet se masat kufizuese të BE-së nën Regjimin Global të Sanksioneve për të Drejtat e Njeriut janë në fuqi për gjithsej 67 individë dhe 20 subjekte.

Të sanksionuarve u fiksohen pronat në territorin e BE-së, ndërsa qytetarëve dhe kompanive nga shtetet anëtare të Unionit u ndalohet që t'u dorëzojnë fonde. Personave fizikë të sanksionuar gjithashtu u ndalohet të udhëtojnë apo kalojnë tranzit nëpër territorin e BE-së.

Këshilli Evropian më 7 dhjetor të vitit  2020 krijoi Regjimin Global të Sanksioneve të të Drejtave të Njeriut, i cili zbatohet për akte të tilla si gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe shkelje ose abuzime të tjera serioze të të drejtave të njeriut, si tortura, skllavëria, vrasjet jashtëgjyqësore dhe arrestimet ose ndalimet arbitrare. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR