BE-ja kërkon nga Shqipëria që urgjentisht ta rrisë sigurinë në gjykata
- Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë sonte reagoi për shkak të vrasjes së gjyqtarit nga Gjykata e Apelit, duke u shprehur se është "i tronditur nga akti i dhunës që solli deri në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjen e dy shtetasve shqiptarë".
- Post By Besnik Shuki
- 21:33, 6 tetor, 2025
Tiranë, 6 tetor 2025 (MIA) - Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë sonte reagoi për shkak të vrasjes së gjyqtarit nga Gjykata e Apelit, duke u shprehur se është "i tronditur nga akti i dhunës që solli deri në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjen e dy shtetasve shqiptarë".
"E dënojmë ashpër këtë akt kriminal. I shprehim ngushëllimet tona më të thella familjes së gjyqtarit Kalaja. Kjo tragjedi e thekson nevojën urgjente që Shqipëria të rrisë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në gjykata. BE-ja mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për reformat gjyqësore dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit në vend", thuhet në kumtesën e Delegacionit të BE-së.
Krahas kreut shtetëror shqiptar, Misionit të OSBE-së, partive politike, dënim për incidentin e sotëm të rëndë, ka shprehur edhe Gjykata supreme e Shqipërisë, duke e vlerësuar atë si "një sinjal alarmi për situatën e sigurisë, me të cilën përballen gjyqtarët shqiptarë dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në shumë nga gjykatat në vend".
"Në një shtet juridik, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në kryerjen e detyrave. Çdo formë nënçmimi ose përbuzjeje ndaj një gjyqtari minon autoritetin e gjyqësorit dhe besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit", thuhet në reagimin e Gjykatës supreme. bsh/