• e premte, 31 janar 2025

BE-ja i konsideron zgjedhjet në Bjellorusi si jolegjitime, do të vazhdojë me masat restriktive

BE-ja i konsideron zgjedhjet në Bjellorusi si jolegjitime, do të vazhdojë me masat restriktive

Bruksel, 27 janar 2025 (MIA) – Përfaqësuesja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas dhe komisarja e BE-së për zgjerim Marta Kos, mbrëmë ka deklaruar se Bashkimi Evropian i konsideron zgjedhjet presidenciale të djeshme në Bjellorusi si jolegjitime dhe paralajmëruan se Unioni do të vazhdojë të vendosë masa restriktive kundër regjimit, duke përfshirë mbështetjen financiare për shoqërinë civile.

Në deklaratën e përbashkët, Kallas dhe Kos theksuan se "zgjedhjet e rreme në Bjellorusi" nuk kanë qenë as të lira dhe as të drejta dhe se populli i Bjellorusisë meriton një fjalë të vërtetë se kush do të qeverisë vendin e tyre.

"Represioni i pamëshirshëm dhe i paprecedentë i të drejtave të njeriut, kufizimet e pjesëmarrjes politike dhe qasja në mediat e pavarura në Bjellorusi e kanë privuar procesin zgjedhor nga çdo legjitimitet. I bëjmë thirrje regjimit që të lirojë menjëherë dhe pa kushte të gjithë të burgosurit politikë, nga të cilët mbi 1.000 janë arrestuar në mënyrë arbitrare, përfshirë edhe një punonjës të Delegacionit të BE-së. Vendimi i regjimit për të ftuar Organizatën për siguri dhe bashkëpunim në Evropë/Zyrën për institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut vetëm 10 ditë para zgjedhjeve, këtij organi të pavarur i ka pamundësuar qasjen në fazat kyçe të procesit zgjedhor. Kjo është dëshmi e mëtejshme e mungesës së plotë të kredibilitetit në këto zgjedhje", thuhet në deklaratën e tyre të publikuar nga Pres shërbimi i BE-së.

Siç theksohet, për këto arsye, si dhe për, siç pretendohet në kumtesë, përfshirjen e regjimit bjellorus në luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës dhe sulmet e saj hibride ndaj fqinjëve të saj, BE do të vazhdojë të prezantojë masa restriktive kundër regjimit, me mbështetje financiare për shoqërinë civile. Shtohet se sapo Bjellorusia të fillojë një tranzicion demokratik, BE do të jetë e gatshme të mbështesë vendin në stabilizimin e ekonomisë dhe reformimin e institucioneve të saj.

“BE është në anën e popullit bjellorus dhe mbështetja jonë në kërkimin e tyre për një Bjellorusi të lirë, demokratike, sovrane dhe të pavarur, si pjesë e një Evrope prosperuese dhe të begatë është e palëkundur”, thuhet në kumtesën nga Kallasi dhe Kosi.

Në zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi, 86,82 për qind e votuesve votuan për presidentin aktual Aleksandër Lukashenko, deklaroi Igor Karpenko, përfaqësues i Qendrës së informacionit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Bjellorusi. Ai konfirmoi se kundërkandidati i Lukashenkos, Oleg Gajdukeviç fitoi 2,02% të votave, kandidatja Ana Kanopatskaja 1,86% të votave, Sergej Sirankov 3,21% dhe Aleksandër Hizniak 1,74% të votave, njofton sot agjencia e lajmeve BELTA.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR