• e premte, 05 dhjetor 2025

BE-ja e nënshkroi Konventën e KB-së për luftë kundër krimit kibernetik

BE-ja e nënshkroi Konventën e KB-së për luftë kundër krimit kibernetik

Bruksel, 27 tetor 2025 (MIA) - Komisioni Evropian sot në kryeqytetin Hanoi të Vietnamit, në emër të BE-së e nënshkroi Konventën e KB-së për luftë kundër krimit kibernetik, qëllimi i së cilës është përforcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar kundër veprave penale të kryera përmes sistemeve për teknologji informatike dhe komunikuese dhe për ndarjen e dëshmive në formë elektronike për vepra penale serioze.

"Lufta kundër krimit kibernetik është prioritet për BE-në. Krimi kibernetik nuk njeh kufij, mund të krijojë ndërprerje të shërbimeve bazë, humbje financiare për individë dhe biznese dhe mund të kompromentojë informata personale dhe të ndjeshme", kumtoi KE.

Në kumtesë shtohet se Konventa do ta përmirësojë aftësinë e BE-së të luftojë kundër krimit kibernetik së bashku me partnerët ndërkombëtar, duke e mundësuar bashkëpunimin edhe me ato 115 vende anëtare të KB-së të cilat nuk janë nënshkruese në Konventën për krim kibernetik nga Budapesti, me të cilën po plotësohet ky boshllëk në luftën kundër këtij krimi nga përmasat globale.

"Konventa përcakton standarde globale për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetik dhe forcon bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë fushë, duke siguruar njëkohësisht mbrojtje efektive të të drejtave themelore. Ajo kriminalizon aktet e dëmshme, duke përfshirë abuzimin seksual të fëmijëve, mashtrimet onlajn dhe sulmet hakerike me qëllim mbledhjen e shpërblimit. Ajo gjithashtu përfshin masa për ekstradimin e të dyshuarve, për shkëmbimin e provave elektronike, si dhe për kriminalizimin e krimit kibernetik. Ajo gjithashtu mbështet bashkëpunimin midis autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe forcon ndërtimin e kapaciteteve në të gjithë botën", shtohet në kumtesë.

Konventa e KB-së për krimin kibernetik u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 24 dhjetor të vitit 2024. Këshilli i BE-së autorizoi Komisionin të nënshkruante Konventën në emër të Unionit më 13 dhjetor. Në përputhje me procedurën e BE-së, Konventa tani duhet të ratifikohet nga Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian.

Konventa do të hyjë në fuqi pasi ta ratifikojnë të paktën 40 nënshkruese të saj. sa/

Foto: MIA arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR