BE-ja e dënoi vendimin e Rusisë ta shpallë Radion Evropa e Lirë të padëshirueshme
- Bashkimi Evropian ka dënuar vendimin e Rusisë për ta shpallur Radion Evropa e Lirë "të padëshirueshme", e cila financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha sot zëdhënësi i BE-së, Piter Stano.
- Post By Sara Ademi
- 19:58, 21 shkurt, 2024
Bruksel, 21 shkurt 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian ka dënuar vendimin e Rusisë për ta shpallur Radion Evropa e Lirë "të padëshirueshme", e cila financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha sot zëdhënësi i BE-së, Piter Stano.
Stano në rrjetin social X ka shkruar se ky është një tjetër sulm i Moskës ndaj lirisë së medias, shprehjes dhe aksesit pluralist të qytetarëve në informacion.
"Rusia duhet të shfuqizojë ligjin për Agjentët e Padëshirueshëm dhe të Huaj i përdorur për të shtypur dhe heshtur mediat kritike", shkroi ai.
Ministria e Drejtësisë e Rusisë dje shtoi REL në listën e organizatave joqeveritare të huaja dhe ndërkombëtare, aktivitetet e të cilave njihen si të padëshirueshme në territorin e Rusisë, u njoftua në faqen e internetit të Ministrisë.
Kjo korporatë mediatike është klasifikuar si "agjent i mediave të huaja" në Rusi. Më herët, Prokuroria Publike e Rusisë vendosi të shënojë aktivitetet e REL-së si të padëshirueshme.
Një gjykatë në Moskë shpalli falimentimin e punës së Radios Evropa e Lirë në Rusi marsin e kaluar, pasi kompania refuzoi të paguante një seri gjobash që arrijnë në më shumë se një miliardë rubla (14 milionë dollarë) për shkeljen e ligjit të agjentëve të huaj të Rusisë. sa/