• e diel, 22 dhjetor 2024

BE-ja do të sigurojë 20 miliardë euro për mbrojtjen ukrainase në katër vitet e ardhshme

BE-ja do të sigurojë 20 miliardë euro për mbrojtjen ukrainase në katër vitet e ardhshme

Bruksel, 20 korrik 2023 (MIA) - Bashkimi Evropian do të sigurojë 20 miliardë euro gjatë katër viteve të ardhshme për nevojat e ushtrisë ukrainase, deklaroi sot përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Zhozep Borel. 

Ai, pas takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së, sqaroi se në kuadër të Instrumentit Evropian për Paqe, prej të cilit BE-ja deri më tani siguronte ndihmë ushtarake për Ukrainën, gjatë katër viteve të ardhshme do të ketë kapitull të veçantë me fond prej pesë miliardë euro në vit. 

Fondi i ri për mbrojtje i Ukrainës ka për qëllim të sigurojë mbrojtje dha parashikim të ndihmës evropiane. 

Nga shkurti i vitit të kaluar nga Instrumenti Evropian për Paqe janë siguruar pesë miliardë euro. Me këto mjete vendeve anëtare u është paguar kompensim për armët dhe municionin të cilat ia dorëzuan Ukrainës. 

Shefat e diplomacive biseduan edhe për marrëdhëniet me Turqinë në takimin e fundit para pauzës verore. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan para pak kohësh e kushtëzoi pajtueshmërinë e tij për pranim të Suedisë në NATO me rinovimin e procesit të anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian. 

Boreli në konferencë për media tha se nuk mund të flitet vetëm për atë që BE-ja pret nga Turqia, por se duhet t'i ndjekim gjërat edhe nga ana tjetër - çka pret Turqia nga BE-ja. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR