• e martë, 29 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

BE-ja bën thirrje për unitet për sulmin e parë hakmarrës së tarifave të Trampit

BE-ja bën thirrje për unitet për sulmin e parë hakmarrës së tarifave të Trampit

8 prill 2025

Rojters

Vendet e Bashkimit Evropian do të përpiqen në ditët në vijim të tregojnë unitet kundër tarifave të vendosura nga presidenti amerikan Donald Tramp, ndoshta duke miratuar grupin e parë të kundërmasave të synuara.

Një veprim i tillë do ta bënte BE-në t'i bashkohej Kinës dhe Kanadasë në vendosjen e tarifave hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara, në një përshkallëzim të hershëm të asaj që disa frikësohen se mund të bëhet një luftë tregtare globale, duke i bërë mallrat më të shtrenjta për miliarda konsumatorë dhe duke i shtyrë ekonomitë botërore në recesion.

Tarifat e Trampit mbulojnë rreth 70 për qind të eksporteve të BE-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës - me një vlerë totale prej 532 miliardë eurosh vitin e kaluar - dhe priten gjithashtu tarifa doganore për bakër, produketet farmaceutike, gjysmëpërçuesit dhe lëndët e drurit.

Komisioni Evropian, i cili koordinon politikën tregtare të BE-së, do t'u propozojë vendeve anëtare të hënën në mbrëmje një listë të produkteve amerikane mbi të cilat ata do të vendosin tarifa shtesë në përgjigje të tarifave të Trampit për çelikun dhe aluminin, në vend të një aplikimi më të gjerë të masave reciproke. Lista do të përfshijë mishin amerikan, drithërat, verën, lëndën e drurit dhe veshje, si dhe çamçakëzat, fillin dentar, fshesat elektrike dhe letrat higjienike.

Një nga produkteve që ka tërhequr më shumë vëmendjen dhe ka shkaktuar përçarje në bllok është burboni. Komisioni propozoi një tarifë prej 50 për qind, duke bërë që Trampi të kërcënojë me një kundërmasë 200 për qind ndaj alkoolit nëse blloku zbaton masën.

Qëllimi kryesor i takimit

Të hënën, në Luksemburgu do të mbahet takimi i parë politik të nivelit të BE-së që kur Trampi njoftoi vendosjen e tarifave të mëdha doganore. Ministrat e Tregtisë nga 27 vendet anëtare do të shkëmbejnë mendime mbi ndikimin dhe përgjigjen më të mirë ndaj tarifave të reja.

Diplomatët e BE-së deklarojnë se qëllimi kryesor i takimit është të bihet dakord për një mesazh të përbashkët gatishmërie për negociata me Uashingtonin për heqjen e tarifave, por edhe gatishmëri për kundërmasa nëse negociatat dështojnë.

"Frika jonë më e madhe pas Brekzitit ishin marrëveshjet dypalëshe dhe humbja e unitetit, por pas tre apo katër vitesh negociata që nuk ka ndodhur. Sigurisht, ne kemi një situatë tjetër këtu, por të gjithë shohin një interes në një politikë të përbashkët tregtare", thotë një diplomat i BE-së.

Kundërmasat 

Ka një sërë mendimesh të ndryshme midis vendeve anëtare të BE-së se si të përgjigjen. Franca tha se BE-ja duhet të përgatisë një paketë masash që shkojnë përtej tarifave dhe presidenti francez Emanuel Makron sugjeroi që kompanitë evropiane të ndalonin investimet në SHBA derisa "gjërat të sqarohen".

Irlanda, e cila eksporton pothuajse një të tretën e eksporteve të saj në SHBA, po bën thirrje për një përgjigje "të kujdesshme dhe të matur", ndërsa Italia, eksportuesi i tretë më i madh i BE-së në SHBA, dyshon nëse BE-ja duhet të hakmerret.

“Masat nuk duhet të jenë shumë të buta për të detyruar SHBA-në të ulen në tryezën e bisedimeve, por jo shumë të ashpra për të çuar në përshkallëzim”, tha një diplomat i BE-së.

Negociatat e mëparshme me Uashingtonin ishin të pasuksesshme. Komisioneri i Tregtisë së BE-së Maros Shefçoviç i përshkroi bisedimet e tij dy-orëshe me homologët e tij amerikan të premten si "të sinqerta", duke theksuar se tarifat e SHBA-së ishin "të dëmshme dhe të pajustifikuara".

 Kundërmasat fillestare të BE-së do të vihen në votim të mërkurën dhe do të miratohen nëse një numër jashtëzakonisht i madh - një shumicë e kualifikuar e 15 vendeve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së - nuk kundërshtojnë.

Masat janë vendosur të hyjnë në fuqi në dy faza - një pjesë më e vogël më 15 prill dhe pjesa tjetër një muaj më vonë.

Kryetarja e Komisionit Ursula fon der Lajen do të zhvillojë gjithashtu bisedime të veçanta të hënën dhe të martën me drejtorët ekzekutivë nga sektorët e çelikut, automobilave dhe farmaceutikëve për të vlerësuar ndikimin e tarifave dhe për të përcaktuar se si do të veprohet më pas.

 

QËNDRONI TË LIDHUR