BE-ja arriti marrëveshje prej 50 miliardë euro mbështetje financiare për Ukrainën
- Të gjitha 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian ranë dakord për 50 miliardë euro ndihmë për Ukrainën në Samitin special të Unionit që sot mbahet në Bruksel, publikoi kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel në Iks.
- Post By Sara Ademi
- 13:31, 1 shkurt, 2024
Bruksel, 1 shkurt 2024 (MIA) - Të gjitha 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian ranë dakord për 50 miliardë euro ndihmë për Ukrainën në Samitin special të Unionit që sot mbahet në Bruksel, publikoi kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel në Iks.
"Kemi një kontratë. Të gjithë 27 udhëheqësit ranë dakord për një paketë shtesë mbështetjeje prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën brenda buxhetit të BE-së. Kjo do të thotë financim i qëndrueshëm, afatgjatë dhe i parashikueshëm për Ukrainën. BE-ja merr udhëheqjen dhe përgjegjësinë për të mbështetur Ukrainën; ne e dimë se çfarë është në rrezik", shënoi Mishel në X.
Kjo marrëveshje i dha fund pasigurisë rreth mbështetjes së BE-së për Ukrainën, për shkak të njoftimit të kryeministrit hungarez Viktor Orbán se ai mund të vërë sërish veton ndaj paketës së ndihmës, siç ndodhi në Samitin e mëparshëm të Unionit në dhjetor.
Sipas burimeve diplomatike, një "grup i vogël liderësh të BE" përpara fillimit të samitit e bindën Orbanin të hiqte dorë nga një veto e mundshme për rishikimin e Kornizës Financiare Shumëvjeçare të Unionit për periudhën 2021-2027, e cila përfshin kryesisht sigurimin e fondeve për mbështetje për Ukrainën.
Të njëjtat burime tregojnë se Orban u takua me kancelarin gjerman Olaf Sholc, presidentin francez Emanuel Makron, kryeministren italiane Xhorxha Meloni dhe kryetarët e Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së, Ursula fon der Lajen dhe Sharl Mishel, dhe pak më vonë takimit iu bashkuan kryeministrat e Belgjikës, Aleksander De Kro, i Holandës, Mark Rute dhe i Polonisë, Donald Tusk.
Si një lëshim për Orbanin, u arrit një marrëveshje për zbatimin e paketës së ndihmës për Ukrainën, që liderët e BE-së të mbajnë një debat vjetor dhe që Komisioni Evropian të përgatisë një raport vjetor për zbatimin e Mekanizmit të Ndihmës në Ukrainë. Nëse, bazuar në këto debate dhe raporte, shihet nevoja, pas dy vitesh Komisionit Evropian mund t'i kërkohet të propozojë një rishikim të ri të Kornizës Buxhetore Shumëvjeçare të BE-së.
Në bazë të marrëveshjes së arritur sot, Belgjika në cilësinë e kryesuesit së BE-së pritet të mbledhë të hënën në Strasburg një “trialog” për të harmonizuar detajet teknike të revizionit.
Marrëveshja e liderëve evropianë u mirëprit nga kryeministri ukrainas Denis Shmihal, i cili vlerësoi se ajo përfaqëson mbështetje "që do të ndihmojë në arritjen e një fitoreje të përbashkët".
Ndryshe, me revizionin e kornizës buxhetore, parashihet sigurimi i 64,6 miliardë eurove shtesë, prej të cilave 50 miliardë euro janë të destinuara për Ukrainën për katër vitet e ardhshme, 17 miliardë euro grante dhe 33 miliardë euro kredi.
Nga fondet e mbetura, 7.6 miliardë euro janë caktuar për mbështetjen e vendeve të fqinjësisë evropiane dhe për partnerët në mbarë botën, dy miliardë për trajtimin e migracionit dhe menaxhimit të kufijve dhe për Instrumentin e Fleksibilitetit të BE-së dhe 1.5 miliardë euro për Fondin Evropian të Mbrojtjes në kuadër të STEP-it dhe si rezerva për solidaritet dhe ndihmë emergjente. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s