• e diel, 22 dhjetor 2024

Begaj për Klintonin: Vendimet të cilat i mori për Kosovën e vendosin në piedestalin e miqve tanë më të shtrenjtë

Begaj për Klintonin: Vendimet të cilat i mori për Kosovën  e vendosin në piedestalin e miqve tanë më të shtrenjtë

Tiranë, 3 korrik 2023 (MIA) - Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj reagoi lidhur me vizitën e ish presidentit Bill Klinton në Shqipëri, duke theksuar se shqiptarët janë përjetë mirënjohës për gjithçka që ka bërë Klintoni për kombin tonë e në veçanti për Kosovën.

Në një publikim në Fejsbuk, Begaj thekson se vendimet të cilat i ka marrë Klintoni për të ardhmen e Kosovës e kanë vendosur në piedestalin e miqve më të shtrenjtë. 

"Mirë se vjen në Tiranë presidenti Klinton! Shqipëria dhe shqiptarët ju janë përjetë mirënjohës për gjithçka që keni bërë për kombin tonë e në veçanti për Kosovën. Vendimmarrja dhe lidershipi juaj në ditët më vendimtare për të ardhmen e Kosovës ju kanë vendosur në piedestalin e miqve tanë më të shtrenjtë. Ju faleminderit nga zemra!", shkruan Begaj.

Klintoni sot pasdite mbërriti në Tiranë ndërsa në aeroport e priti kryeministri Edi Rama, me ftesë të të cilit do të qëndrojë për vizitë dyditore. 

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ka shpërndarë një fotografi me ish presidentin amerikan duke konfirmuar lajmin e mbërritjes së tij.

"Me presidentin Bill Klinton, mikun e përjetshëm të kombit shqiptar, i cili sapo shkeli për herë të parë në Shqipëri. Jeni të mirëpritur të gjithë tek Kryeministria, sot në 18:30 për ceremoninë e mikpritjes së presidentit Klinton dhe adresimin e tij për të gjithë shqiptarët", shkroi Rama.

Sonte në një ceremoni solemne të veçantë para qeverisë me praninë e qytetarëve ai Klintonit do t'ia ndajë mirënjohjen e lartë "Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike". 

Kjo është vizita e parë e Klintonit në Shqipëri. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR