• e diel, 22 dhjetor 2024

Begaj nënshkroi dekretin: Zgjedhjet lokale në Shqipëri më 14 maj 2023

Begaj nënshkroi dekretin: Zgjedhjet lokale në Shqipëri më 14 maj 2023
Tiranë, 24 tetor 2022 (MIA)- Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka caktuar 14 majin 2023 si datën e mbajtjes së zgjedhjeve vendore të ardhshme. “Zyra presidenciale shprehet se kreu i shtetit e vlerëson periudhën deri në zgjedhje si shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare, si dhe thekson se është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare”, qëndron në publikimin e kabinetit të tij. Begaj poashtu ka ftuar të gjitha palët që të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë. “Kreu i shtetit i fton votuesit të mos anashkalojnë detyrën qytetare të mirë-informimit mbi alternativat politike dhe ushtrimit të të drejtës së votës, të pandikuar nga interesa, që cënojnë votën dhe vullnetin e lirë”, theksohet në publikimin. Mes tjerash, Begaj nënvizon se Komisioni i reformës zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it. Me këtë rast, presidenti Begaj vlerëson nevojën e vendosjes së normalitetit politik në pushtetin vendor dhe u bën thirrje partive politike që të shkojnë në këto zgjedhje me alternativa politike serioze e konkurruese, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe standardet më të mira demokratike. Zgjedhjet e fundit që u mbajtën më 30 qershor të vitit 2019 u bojkotuan nga opozita e bashkuar dhe nga 61 komuna 60 kryetarë bashkie u zgjodhën nga radhët e Partisë Socialiste.

QËNDRONI TË LIDHUR