• e mërkurë, 18 dhjetor 2024

Begaj: Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është thelbësore për stabilitetin e rajonit

Begaj: Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është thelbësore për stabilitetin e rajonit

Tiranë, 18 shtator 2024 (MIA) - Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj sot në Tiranë deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut është thelbësor për stabilitetin e të gjithë rajonit.

Në konferencën e 27-të të shefave të Shtatmadhorisë së Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut, Begaj u shpreh se Kosova e ka dëshmuar përkushtimin ndaj paqes dhe është faktor kontribuues për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

“Në bashkëpunim me aleatët tanë, kemi punuar vazhdimisht për të forcuar sigurinë në rajon dhe për të promovuar integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike", tha Begaj. 

Sipas tij, në këtë rrugë është e rëndësishme përfshirja e anëtarëve të rinj që duan t'i bashkohen Nismës SHBA - Karta e Adriatikut dhe NATO-s.

"Anëtarësimi i Kosovës në këtë Kartë është thelbësor jo vetëm për sigurinë e Kosovës, por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit. Kosova, ndonëse është shtet i ri, ka treguar përkushtim ndaj paqes dhe bashkëpunimit, dhe përbën një faktor kontribuues për sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Begaj.

Karta e Adriatikut është formuar nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja në vitin 2003 me qëllim të ndihmës në përpjekjet e tyre për t'u anëtarësuar në NATO, ndërsa Kosova ka rolin e vëzhguesit që nga viti 2012. 

Presidenti i Shqipërisë në fjalimin e tij e ka pranuar se rajoni i Ballkanit përballet me sfida konkrete, "veçanërisht në fushën e sigurisë, ndërsa mbetet i brishtë përballë destabilizimit".

“Historia nuk duhet harruar, ndryshe mund të përsërisim gabimet. Ne jemi në gjendje të përballemi me këto sfida. Në bashkëpunim me aleatët tanë kemi punuar për të promovuar sigurinë në rajon”, ka shtuar ai. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR