• e shtunë, 23 nëntor 2024

BDI zgjodhi 16 sekretarë të sekretariateve, Artan Grubi mbetet shef i kabinetit të Ali Ahmetit

BDI zgjodhi 16 sekretarë të sekretariateve, Artan Grubi mbetet shef i kabinetit të Ali Ahmetit
Tetovë, 29 tetor 2022 (MIA) - Zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Bujar Osmani ka bërë të ditur se në mbledhjen e kryesisë qendrore kanë përfunduar dy nga tri pikat e parapara të rendit të ditës dhe se janë zgjedhur 16 sekretarë për numër të njëjtë të sekretariateve partiake. Artan Grubi është zgjedhur shef i kabinetit  të kryetarit të partisë Ali Ahmeti, Bujar Osmani zëdhënës i partisë dhe zëvendëszëdhënës i partisë Arbër Ademi. Sipas Osmanit, njëzëri janë zgjedhur të gjithë këshilltarët në kabinetin e Ahmetit dhe të gjithë sekretarët në sekretariate. "Gjithçka shkoi sipas agjendës së propozuar, gjegjësisht u bisedua për gjendjen aktuale politike në vend me theks te integrimet evropiane të momentit të krijuar politik në integrimet evropiane, duke përcaktuar vitin 2030 si vit kur vendi duhet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.  Me këtë, ndryshimet kushtetuese dhe vetë negociatat mbeten prioritet kryesor i partisë në periudhën e ardhshme, ndërsa  presim edhe prioritet kryesor shoqëror", tha Osmani. Pika e tretë e parashikuar për prezantimin e raportit për punën e ministrave, zëvendësministrave dhe sekretarëve shtetërorë, sipas Osmanit, mund të zgjasë me orë të tëra. "Për momentin, zëvendëskryeministri i parë po e jep raportin. Raporti është me shkrim dhe me gojë. Presim që të zhvillohet një debat për të gjitha aspektet. Kjo kuptohet është një vlerë e shtuar në parti me përfshirjen e të gjithë anëtarët në vlerësimin e punës së funksionarëve të zgjedhur. Një raport me shkrim do të ndahet edhe deri te gazetarët në mënyrë që ju të përfshiheni në vlerësimin e punës. Mendoj se po vendosim një cilësi të re në vlerësimin e llogaridhënies të funksionarëve të zgjedhur, jo vetëm para strukturave partiake, por edhe para opinionit", tha Osmani. Në mesin e sekretarëve të zgjedhur janë Teuta Arifi në Sekretariatin për Arsim dhe Shkencë dhe Nevzat Beita për Vetëqeverisje Lokale. ar/

QËNDRONI TË LIDHUR