BDI: Nga mesnata çmimi i karburanteve është rritur për 15 denarë për litër, që paraqet goditje të re mbi buxhetet familjare dhe bizneset
- Shkup, 10 mars 2026
- Post By Melahat Baftija
- 12:04, 10 mars, 2026
Shkup, 10 mars 2026
Situata me furnizimin dhe çmimet e derivateve të naftës ka nxjerrë në pah edhe një herë dështimin e plotë të qeverisë për të menaxhuar dhe zbutur pasojat e një krize që ishte e paralajmëruar prej javësh. Ky nuk është një rast i izoluar. Është pjesë e një vargu dështimesh në mënyrën se si kjo qeveri përballet me çdo situatë krize: shumë propagandë, shumë konferenca për shtyp për të fajësuar të tjerët, dhe pothuajse asnjë veprim konkret për t’i mbrojtur qytetarët, qëndron në kumtesën e BDI-së, të konferencës së sotme për shtyp të Albana Mustafës, të cilën MIA e transmeton integrale.
Nga mesnata e mbrëmshme çmimi i derivateve është rritur për 15 denarë për litër, një rritje e menjëhershme që përbën një goditje të re për ekonomitë familjare dhe për bizneset, veçanërisht në një situatë kur standardi jetësor i qytetarëve tashmë është nën presion.
Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike që ndikojnë në çmimet e energjisë nuk kanë ardhur papritur. Këto zhvillime paralajmëroheshin prej javësh. Qeveria kishte kohë të mjaftueshme për të planifikuar dhe për të ndërmarrë masa parandaluese. Megjithatë sot qytetarët përballen me mungesa, pasiguri dhe çmime në rritje, ndërsa institucionet që duhet të reagojnë vazhdojnë të qëndrojnë pasive.
Qytetarët e këtij vendi nuk mund të lihen në mëshirën e zhvillimeve që ndodhin mijëra kilometra larg nesh. Detyra e qeverisë është të parashikojë rreziqet dhe të mbrojë standardin jetësor të qytetarëve dhe stabilitetin e ekonomisë.
Si Bashkimi Demokratik për Integrim, propozojmë të merren urgjentisht masa përmes Kuvendit dhe institucioneve kompetente:
1. I bëjmë thirrje Komisionit Rregullator për Energjetikë që, duke filluar nga sot, të ndërmarrë masa dhe të rishqyrtojë vendimin e djeshëm.
2. Duke pasur parasysh deklaratat e institucioneve kompetente se shteti disponon rezerva të naftës për rreth 62 ditë, këto rezerva duhet të hidhen menjëherë në treg me çmim maksimal prej 71 denarë për litër. Duhet theksuar se këto sasi janë blerë me çmime edhe më të ulëta se ky nivel.
3. Po ashtu, qeveria duhet të shqyrtojë menjëherë mundësinë e uljes së barrës fiskale për derivatet e naftës, përfshirë akzizat dhe detyrimet tjera, me qëllim stabilizimin e çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve.
4. Njëkohësisht, shërbimet inspektuese duhet të veprojnë menjëherë për të verifikuar se çfarë sasie nafte kanë pasur pikat e furnizimit para ditës së hënë në ora 00:00, dhe për këto sasi të vendoset ngrirje e çmimeve, duke qenë se janë importuar me çmime më të ulëta.
5. Për operatorët që gjatë fundjavës dhe ditës së hënë nuk kanë furnizuar qytetarët me karburant, duhet të ndërmerren masa dhe sanksione në përputhje me ligjin.
Si shtet nuk mund të lejojmë që disa të përfitojnë në kurriz të qytetarëve dhe të prodhuesve tanë. Në një situatë të tillë kërkohet reagim i menjëhershëm dhe menaxhim serioz i krizës.
Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet i gatshëm të mbështesë çdo vendim që synon stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit.
Bashkimi Demokratik për Integrim
Foto: printskrin