• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Bastisje e policisë në pesë lokacione në veri të Kosovës pas sulmit në Banjskë

Bastisje e policisë në pesë lokacione në veri të Kosovës pas sulmit në Banjskë

Prishtinë, 29 shtator 2023 (MIA) – Policia e Kosovës mëngjesin e sotëm ka bastisur pesë lokacione në tri komuna në veri të Kosovës në lidhje me rastin e sulmit ndaj policisë në Banjskë afër Zveçanit, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Lajmin për mediat kosovare e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin verior, Veton Elshani.

"Kërkimi i pesë lokacioneve ka përfunduar. Për detaje tjera do të dalim me komunikatë më vonë", tha Elshani.

Policia ka bastisur restorantin "Grej" i cili besohet se është në pronësi të Ema Radojiçiqit, gruas së nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq i cili është një nga të dyshuarit si lider i grupit që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator.

Portali kosovar në gjuhën serbe, “Kossev” informon se nga garazhi i lokalit janë marrë disa vetura, dy prej të cilave me targa të Beogradit dhe një pa targa.

Sipas mediave të atjeshme lokale, në duart e policëve janë vërejtur qese letre përmbajtja e të cilave nuk dihet.

 

QËNDRONI TË LIDHUR