Bashkëpunimi mes policisë së Maqedonisë dhe Greqisë në fokus në takimin Malios-Janev në Athinë
- Mënyrat për të forcuar mbrojtjen e kufijve të përbashkët përmes shkëmbimit të informacionit dhe adoptimit të metodave moderne të vëzhgimit, bashkëpunimit ndërmjet forcave policore të dy vendeve, si dhe forcimit të kanaleve të komunikimit, ishin në fokus të takimit në Athinë ndërmjet shefit të policisë greke, Dimitrios Malios, dhe drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
- Post By Sara Ademi
- 12:19, 4 qershor, 2025
Athinë, 4 qershor 2025 (MIA) - Mënyrat për të forcuar mbrojtjen e kufijve të përbashkët përmes shkëmbimit të informacionit dhe adoptimit të metodave moderne të vëzhgimit, bashkëpunimit ndërmjet forcave policore të dy vendeve, si dhe forcimit të kanaleve të komunikimit, ishin në fokus të takimit në Athinë ndërmjet shefit të policisë greke, Dimitrios Malios, dhe drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Siç njoftoi policia greke, në takimin në margjinat e Konferencës së 52-të rajonale evropiane të Interpolit, Malios dhe Janev theksuan rëndësinë e bashkëpunimit efikas mes dy palëve, si dhe theksuan nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar policor, "i cili është një faktor vendimtar në përballjen me krimin e organizuar".
"U theksua se konsolidimi i kanaleve të qëndrueshme të komunikimit dhe forcimi i besimit të ndërsjellë midis dy vendeve janë shtylla themelore të një strategjie moderne dhe efikase policore ndërkombëtare. Lidhur me këtë, shefi i policisë greke mori ftesë zyrtare për të vizituar Maqedoninë e Veriut", njoftuan nga policia greke.

Drejtori i BSP-së njoftoi dje përmes rrjeteve sociale se në margjinat e konferencës në Athinë, ka zhvilluar një sërë takimesh konstruktive, duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm Valdesi Urkiza dhe delegacione nga Japonia, Gjermania, Lituania, Turqia, Zvicra dhe Luksemburgu.
Ata diskutuan me Urkizën për qëllimet strategjike dhe operacionale, zbatimin e mjeteve moderne dixhitale në sistemet policore, si dhe komunikimin e hapur dhe të shpejtë ndërmjet agjencive të zbatimit të ligjit dhe veçanërisht theksuan kontributin e policëve dhe ekspertëve të Maqedonisë në aktivitetet aktuale dhe të ardhshme të Interpolit.
"Fokusi i takimeve me delegacionet e tjera ishte forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar përmes shkëmbimit të përvojave dhe njohurive, me qëllim të thjeshtimit, përmirësimit dhe modernizimit të punës së policisë, procese në të cilat dixhitalizimi i sistemit do të kontribuojë në rezultate më të shpejta dhe më cilësore si në hetime ashtu edhe në punën e përgjithshme të policisë", ka shkruar Janev në Fejsbuk. sa/
Foto: Policia greke