Baroso: Evropa duhet të ndërmerr rol më të përgjegjshëm në mbrojtje
- Evropa duhet të ndalojë së qenuri adoleshent gjeopolitik siç është tani dhe duhet të marrë një rol më të përgjegjshëm në fushën e mbrojtjes, vlerëson ish kryetari i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Baroso.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:26, 23 prill, 2025

Bruksel, 23 prill 2025 (MIA) - Evropa duhet të ndalojë së qenuri adoleshent gjeopolitik siç është tani dhe duhet të marrë një rol më të përgjegjshëm në fushën e mbrojtjes, vlerëson ish kryetari i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Baroso.
Sipas tij, në Evropë ekziston një mungesë e koordinimit ndërmjet vendeve në lidhje me mënyrën se si shpenzohen fondet e alokuara për nevojat e mbrojtjes.
"Problemi themelor i mbrojtjes evropiane nuk është mungesa e investimeve, por mosfunksionimi dhe papajtueshmëria që ekzistojnë midis sistemeve të ndryshme", deklaroi Baroso në fjalimin në një tubim kushtuar mbrojtjes kombëtare portugeze të mbajtur në Akademinë ushtarake në Amadora në afërsi të Lisbonës.
Baroso në fjalim theksoi se as rritja e shpenzimeve të mbrojtjes nga dy për qind aktuale të BPV-së në tre ose 3.5 për qind, për të cilat beson se do të dakordohet në Samitin e ardhshëm të NATO-s, nuk do të zgjidhë problemet e mbrojtjes së Evropës, por vetëm mund t'i rrisë ato.
Sipas tij, vendet evropiane duhet më shumë të investojnë në industrinë e mbrojtjes dhe hulumtimin shkencor, duke ndjekur shembullin e SHBA-së, investimet e të cilave në mbrojtje i kanë mundësuar vendit “sot të jenë fuqia kryesore teknologjike në botë”.
Ai, siç raporton agjencia portugeze Lusa, thekson se është "e pashmangshme" të rritet kapaciteti mbrojtës i Evropës dhe se është "shumë herët" të thuhet se "NATO ka vdekur".
Baroso iu drejtua gjithashtu luftës në Ukrainë, duke theksuar se ai nuk sheh sinjale dhe se në "të ardhmen është e mundur një zgjidhje paqësore", sepse presidenti rus Vlladimir Putin është "i interesuar të mbajë situatë të një konflikti latent". qa/
Foto: arkivi i MIA-s