• e hënë, 23 dhjetor 2024

Banka Popullore dorëzoi kërkesën për anëtarësim në SEPA

Banka Popullore dorëzoi kërkesën për anëtarësim në SEPA

Shkup, 11 korrik 2024 (MIA) - Banka Popullore ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim e vendit në zonën evropiane të pagesave në euro (SEPA), që paraqet një hap kyç përpara për zhvillimin dhe integrimin e mëtejshëm të sistemit financiar vendor në hapësirën ekonomike evropiane.

Guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska e cila ka nënshkruar kërkesën, thekson se përparësitë e anëtarësimit në SEPA janë shumë domethënëse për qytetarët dhe kompanitë, duke pasur parasysh se numri më i madh i pagesave nga jashtë vendit kryhen në euro.

"Për qytetarët dhe kompanitë, anëtarësimi në SEPA do të thotë, para së gjithash, mënyrë më e lirë, më e shpejtë, e sigurt, e thjeshtë dhe efikase (e barabartë me pagesat kombëtare) për pagesat pa para të gatshme në euro në vendet anëtare të SEPA-s. Përfitim kyç është ulja e konsiderueshme e pritur e shpenzimeve për transaksionet ndërkufitare me këto vende, e cila është veçanërisht e rëndësishme për remitancat nga emigrantët dhe punëtorët e përkohshëm jashtë vendit, të cilat janë të rëndësishme për ekonominë maqedonase. Rregulloret e standardizuara të aplikuara në SEPA kontribuojnë edhe në nivele më të larta të mbrojtjes dhe transparencës së konsumatorit, duke siguruar qasje të barabartë për të gjithë ofruesit e shërbimeve të pagesave dhe me çmime konkurruese", ka thënë deklaratë për MIA-n guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska.

Me anëtarësimin e vendit në SEPA, qytetarët dhe kompanitë do të kenë shpenzime më të vogla për transaksionet ndërkufitare të cilat do të mund t'i kryejnë në afat prej një ditë pune, ndërsa te pagesat e shpejta, transferi i mjeteve pagesore do të bëhet për më së shumti 10 sekonda në çdo kohë të ditës, për fundjava dhe festa. 

Me anëtarësimin në SEPA, bankat vendore do të bëhen pjesëmarrëse të drejtpërdrejta në sistemet e pagesave që operojnë në SEPA, që praktikisht do të thotë se do të shmangin të ashtuquajturat marrëveshjet komplekse që bankat kanë tani, të cilat nga ana tjetër do të kërkojnë transferim më të lirë dhe më të shpejtë të fondeve.

Vetë aplikimi, thotë Angellovska - Bezhoska, është rezultat i aktiviteteve shumëvjeçare dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në vend, si dhe në mbështetjen nga institucionet ndërkombëtare.  

"Këto përpjekje tashmë rezultuan me arritje të rëndësishme në harmonizimin e rregullores vendore me atë të BE-së, në pjesën e shërbimeve pagesore dhe sistemeve të pagesave, parandalimin e pastrimit të parave, lëvizjes së lirë të kapitalit dhe mbrojtjes së të dhënave personale, si dhe zbatim efikas të kësaj rregullore", thekson guvernatorja e Bankës Popullore.  

SEPA numëron 36 vende anëtare, përveç 27-të vendeve anëtare të BE-së, në të marrin pjesë edhe nëntë vende evropiane të cilët nuk janë në Union (Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, Islanda, Zvicra, Lihtenshtajni, San Marino, Monako, Vatikani dhe Andora). rq/

Foto: Banka Popullore

 

QËNDRONI TË LIDHUR