• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Banka Botërore: Ballkani Perëndimor duhet të investojë miliarda për mbrojtje nga ndryshimet klimatike

Banka Botërore: Ballkani Perëndimor duhet të investojë miliarda për mbrojtje nga ndryshimet klimatike

Uashington, 20 nëntor 2024 (MIA) - Në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të investojnë 37 miliardë dollarë në programe të cilat do të sigurojnë që ata të merren me ndryshimet klimatike nëse duan të mbrojnë popullin e tyre dhe të shmangin dëmet që mund të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e tyre ekonomike, paralajmëroi sot Banka Botërore (BB).

Në raportin e rregullt për ndryshimet klimatike dhe zhvillimet lidhur me Bosnje e Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Kosovën, Banka Botërore potencon se këto investime do të zbusin efektet e goditjeve dhe streseve që lidhen me ndryshimet klimatike.

Në Raport theksohet se investime të tilla sjellin shfrytëzimin e trefishtë nga humbjet e shmangura, potencialit të përshpejtuar ekonomik dhe rritjes së përfitimeve sociale dhe ekologjike me një normë të vlerësuar në rreth katër dollarë për çdo dollar të investuar.

Analistët e BB-së kanë vlerësuar se dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike mund të zvogëlojnë ekonominë e Bosnje e Hercegovinës, gjegjësisht produktin e saj të Bruto prodhimit vendor (BPV) deri në 14 për qind deri në vitin 2050. Vetëm ky vend duhet të llogarisë në faktin se do të duhet të investojë deri në 6.8 miliardë dollarë në mbrojtje kundër ndryshimeve klimatike në dekadën e ardhshme.

Dokumenti i BB-së u publikua pas përmbytjeve shkatërruese të cilat goditën pjesët e Bosnje e Hercegovinës në tetor ku humbën jetën 27 banorë, ndërsa vlerësimet paraprake tregojnë se dëmet materiale janë mbi 100 milionë euro.

"Ndryshimet klimatike nuk janë vetëm një sfidë ekologjike, por edhe kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin ekonomik, shëndetin publik dhe mirëqenien sociale të Bosnje e Hercegovinës", tha Kristofer Sheldon, shef i zyrës së Bankës Botërore për Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi, duke paralajmëruar se përmbytjet e fundit janë dëshmi e pasojave të rrezikshme rreth ndryshimeve klimatike.

Duke pasur parasysh në atë që përmbytjet përbëjnë mbi 90 për qind të dëmeve të lidhura me klimën, raporti i BB-së thekson nevojën për zgjidhje të bazuara në natyrë, siç është rikuperimi i zonave të përmbytura dhe ruajtja e tokave për të rritur elasticitetin dhe për të nxitur rritjen ekonomike.

Investimet në kohë në adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike, veçanërisht në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytjet, mund të mbrojnë ekonominë dhe njëherësh të zvogëlojnë humbjen e BPV-së, ndërsa njëkohësisht duke siguruar hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mundësive tregtare.

"Parashikimet tregojnë se secila euro e shpenzuar për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike arrin një normë deri në dhjetë euro që tregon përfitimet e mëdha ekonomike të inciativave të tilla", theksohet në Raport.

Banka Botërore rikujton domosdoshmërinë drejt një tranzicioni ndaj uljes së emetimeve të karbonit përmes prodhimit të energjisë, gjegjësisht arritjes së emetimeve zero deri në vitin 2050. Kjo përfshin largimin nga prodhimi të energjisë elektrike me qymyr, rritjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme siç janë dielli dhe era dhe përmirësimi i efikasitetit të energjisë në shumë sektorë. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR