• e premte, 22 nëntor 2024

Bajdeni: Shërbimi Sekret Amerikan ka nevojë për më shumë ndihmë dhe fuqi punëtore

Bajdeni: Shërbimi Sekret Amerikan ka nevojë për më shumë ndihmë dhe fuqi punëtore

 Uashington, 16 shtator 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajdeni, një ditë pas një atentati të ri ndaj kandidatit republikan për president Donald Trampit, deklaroi se Shërbimi Sekret Amerikan, shërbimi policor i ngarkuar me mbrojtjen e presidentëve dhe ish-presidentëve amerikanë, "ka nevojë për më shumë ndihmë".

Pas tentimit për atentat ndaj Trampit në korrik, shefi i atëhershëm i Shërbimit Sekret dha dorëheqje. 

 Tentimi  i dytë për atentat  ndaj Trampit e ngre çështjen e sigurisë rreth tij.

 Bajdeni, i cili pas lajmit për tentim të ri të dyshuar për atentat deklaroi "Falënderoj Zotin që Trampi është mirë", tha se konsideron se Shërbimit Sekret i nevojitet më shumë personel.

 Ai kërkoi nga Kongresi Amerikan që t'u përgjigjet këtyre nevojave shtesë.

 Agjentët e Shërbimit Sekret Amerikan hapën dje zjarr ndaj një burri të armatosur me një pushkë gjysmë automatike, i cili drejtoi armën në klubin e golfit të ish-presidentit Donald Tramp në Florida, ndërsa ai po luante golf në ato terrene.

 "Trampi është i palënduar dhe i sigurt", bëri të ditur policia, ndërsa  Byroja Federale e Hetimit (FBI) po heton incidentin si "tentim për vrasje". Burri i armatosur me pushkë AK-47 është arrestuar.

 Rreth 50 ditë nga zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit, kandidatja demokrate Kamala Harris dhe kandidati republikan Donald Tramp vazhdojnë sot fushatën e tyre presidenciale. Trampi sot është në Florida dhe Harrisi është në Uashington.

 Kamala Harrisi, pas lajmit për tentimin për atentat, tha se ishte thellësisht e shqetësuar nga atentati i mundshëm ndaj ish-presidentit Tramp.

 Foto: Arkivi i MIA-s

 


 

 

QËNDRONI TË LIDHUR