• e premte, 20 dhjetor 2024

Bajden u bëri thirrje udhëheqësve të G20 të mbështesin Ukrainën

Bajden u bëri thirrje udhëheqësve të G20 të mbështesin Ukrainën

Rio de Zhanejro, 18 nëntor 2024 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden sot u bëri thirrje vendeve anëtare të G20 të mbështesin sovranitetin e Ukrainës.

"SHBA-ja mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Sipas mendimit tim, të gjithë në këtë tryezë duhet ta bëjnë këtë", theksoi Bajden në seancën e parë plenare të Samitit të G20, që po mbahet në Rio de Zhanejro.

SHBA-ja dje i miratoi Ukrainës përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi për sulme brenda Rusisë.

Bajden gjithashtu u bëri thirrje vendeve anëtare të G20 që të "rrisin presionin ndaj Hamasit" me qëllim që të arrihet armëpushim në Rripin e Gazës. Ai shtoi se do të "vazhdojë punën për të arritur një marrëveshje" para se të largohej nga pushteti.

"Të gjithë të cilët janë këtu, u bëj thirrje të rrisin presionin ndaj Hamasit, i cili refuzon marrëveshje", potencoi Bajden.

Rusia në Samitin e G20 u përfaqësua nga ministri i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov. rq/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR