Bajden dhe Xhinping do të takohen më 15 nëntor
- Presidenti amerikan Xho Bajden dhe homologu i tij kinez Si Xhinping do të takohen javën e ardhshme, bën të ditur Shtëpia e Bardhë.
- Post By Fami Bajrami
- 22:23, 12 nëntor, 2023

Uashington, 12 nëntor 2023 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden dhe homologu i tij kinez Si Xhinping do të takohen javën e ardhshme, bën të ditur Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karin Zhan-Pjer tha se takimi do të mbahet më 15 nëntor në San Francisko.
"Liderët do të bisedojnë mbi çështjet e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Republikës Popullore të Kinës, rëndësinë e vazhdueshme të mbajtjes së linjave të hapura të komunikimit dhe një sërë çështjesh rajonale dhe globale", ka thënë Zhan-Pjer.
Presidenti kinez do të vizitojë SHBA-në nga 14 deri më 17 nëntor për të marrë pjesë në Samitin e 30-të të Bashkëpunimit ekonomik aziatiko-paqësor.
“Në bazë të takimit të fundit në nëntor 2022 në Bali, Indonezi, liderët do të bisedojnë poashtu edhe për atë se si SHBA dhe Republika Popullore e Kinës mund të vazhdojnë të menaxhojnë me përgjegjësi konkurrencën dhe të punojnë së bashku aty ku interesat tona përputhen, veçanërisht në sfidat transnacionale që ndikojnë në bashkëpunimin ndërkombëtar”, deklaroi Zhan-Pjer.
Foto: EPA