Avokati i njërit prej anëtarëve të grupit të Gërçecit ka paralajmëruar ankesë kundër aktvendimit, thotë se argument kryesor është joligjshmëria e provave nga aplikacioni Skaj
- Mbrojtja e njërit prej anëtarëve të akuzuar të grupit të Gërçecit për trafikim droge paralajmëroi ankesë kundër vendimit të shkallës së parë.
- Post By Fami Bajrami
- 15:28, 15 korrik, 2025
Shkup, 15 korrik 2025 (MIA) - Mbrojtja e njërit prej anëtarëve të akuzuar të grupit të Gërçecit për trafikim droge paralajmëroi ankesë kundër vendimit të shkallës së parë.
Avokati mbrojtës i Nexhati Isenit të cilin Gjykata sot e shpalli fajtor për “prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike” dhe e dënoi me pesë vjet burgim, avokati Angel Gjorgjiev në deklaratën për mediat tha se argumentet kryesore në ankesat që i paralajmërojnë, do të jetë siç thotë ai, “joligjshmëria e provave nga aplikacioni Skaj dhe vetë përmbajtja e cila nuk duket aspak bindëse”.
"E dëgjuat njoftimin e sotëm të aktvendimit. Procesi u zhvillua në një atmosferë absolutisht korrekte dhe veprim ligjor nga të gjithë subjektet në këtë proces, por mbeti një dilemë që do të na ndjek në periudhën e ardhshme dhe kjo është ajo që mbrojtja e shfrytëzoi gjatë gjithë kohës si një argument të fortë ligjor, e ai është problematizimi i ligjshmërisë së provave të siguruara përmes përdorimit të aplikacionit Skaj ECC, përkatësisht numrave dhe pajisjeve telefonike të enkriptuara", deklaroi Gjorgjiev.
Sipas Gjorgjievit, kjo është një çështje jo vetëm për vendin tonë, por edhe për të gjithë Evropën dhe shumë vende të tjera.
"Lidhur me këtë çështje, qëndrimet janë absolutisht të ndara dhe kontroverse. Ne synojmë sinqerisht të zbatojmë vendimin e fundit të gjykatës rajonale në Berlin ku nuk u pranua ligjshmëria e këtyre provave dhe u soll aktvendim lirues nga akuzat se absolutisht këto prova janë siguruar në mënyrë të paligjshme. Jo vetëm që e pohojmë këtë, por kemi edhe një argument të fortë, dhe kjo është sepse autoritetet franceze pa një urdhër hetimi evropian kanë hakuar serverin e dytë në Lion, nga ku kanë nxjerrë të gjitha këto të dhëna të cilat më pas janë shpërndarë në vende të ndryshme në të gjithë Evropën dhe ku janë iniciuar procedura të ngjashme bazuar në këto të dhëna", deklaroi Gjorgiev.
Vetë përmbajtja e këtyre të dhënave që u paraqitën, sipas Gjorgjievit, nuk dukej aspak bindëse, as nuk përbënte ndonjë provë materiale ose tjetër që tregonte në fajësinë e të akuzuarve.
Gjyqtarja Fanka Jançulova Mihailovska gjatë shpalljes së vendimit tha sot se në lidhje me reagimet e mbrojtjes ndaj disa provave të ofruara përmes aplikacionit Skaj, Gjykata, siç shpjegoi i pranoi ato sepse u morën me ndihmë ligjore ndërkombëtare nga Franca.
Gjithsej 50 vjet e gjysmë burgim kanë marrë gjashtë anëtarë të grupit të akuzuar të Gërçecit të arrestuar në janar të vitit të kaluar, katër prej të cilëve u dënuan për përfshirje në blerjen e paautorizuar të 15 kilogramëve të drogës narkotike- kokainë, transportimin dhe shpërndarjen e saj në vend, ndërsa dy u dënuan për shoqërim kriminal me qëllim kryerjen e veprës penale vrasje e dyfishtë në shenjë hakmarrje dhe të porositur.
_U7rQ4eNoX/placeholder.webp?use_watermark=1)
Gjykata i shpalli fajtorë Fadil Bajramovskin, Sevdi Azirin, Nexhati Isenin dhe Besim Asanin për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve” nga neni 215, paragrafi 3 i Kodit penal. Bajramovski, Aziri dhe Iseni u dënuan me pesë vjet burg, ndërsa Besim Asani u dënua me gjashtë vjet burg.
Dy të tjerët Gjykata i dënoi për kryerjen e veprave penale të shoqërimit kriminal sipas nenit 394, paragrafi 3 dhe vrasje sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 5 e Kodit penal.
Fati Sulejmanovskin gjykata e dënoi me një vit e gjashtë muaj burg për veprën penale shoqërim kriminal dhe 14 vjet burg për veprën penale vrasje ose me një dënim të vetëm me burg prej 14 vitesh e gjashtë muaj.
Shulejb Sulejmanovskin gjykata e dënoi me dy vjet burg për veprën penale shoqërim kriminal dhe 14 vjet për veprën vrasje ose me dënim të përgjithshëm prej 15 vjetësh burgim.
Grupi nuk ka vepruar rastësisht, por në vazhdimësi të paktën nga qershori 2019 deri në mars 2021, ndërsa në hetim janë përfshi 15 persona, disa prej të cilëve tani kanë vdekur, ndërsa disa të tjerë ende nuk janë të kapshëm për organet e përndjekjes.
Foto: MIA