• e premte, 05 dhjetor 2025

Autoritetet turke zbuluan mashtrim të madh me kartela kreditore të turistëve në Kushadasi

Autoritetet turke zbuluan mashtrim të madh me kartela kreditore të turistëve në Kushadasi

Ankara, 8 qershor 2025 (MIA) – Xhandarmeria turke në rajonin Ajdin në një operacion të madh zbuloi mashtrim me kartela kreditore në qytetin turistik Kushadasi, me dëm të përgjithshëm prej afro 30 milionë dollarë, njoftoi “Turkije tudej”.  

Policia ka zbatuar aksione të koordinuara në rajonet Muglla, Izmir, Antalia dhe Stamboll. 

Hetimi ka filluar pas një sinjali nga banka tregtare, e cila ka vërejtur transaksione të dyshimta në llogaritë e klientëve të huaj. Transaksionet e parregullta ishin ndjekur deri në terminalet POS në dy hotele në Kushadasi. 

I dyshuari kryesor, pronar i një hoteli, kinse ka grumbulluar të dhëna nga kartelat kreditore të turistëve përmes rezervimeve, ndërsa pastaj i ka ndarë me biznese të lidhura, përfshirë hotele të tjerë dhe kompani për marrjen me qira të automobilave. 

Pas kthimit të turistëve në vendet e tyre, nga kartelat e tyre ishin tërhequr shuma për shërbime që nuk ishin shfrytëzuar. Shuma e përgjithshme e mashtrimit arrin 1,15 miliardë lira turke (29,27 milionë dollarë). 

Thuhet se disa anëtarë të grupit kriminal udhëtuan jashtë vendit për të marrë të dhëna shtesë të kartelave kreditore, të cilat më pas u përdorën në skemë. Të ardhurat e paligjshme u pastruan më pas përmes kompanive legjitime të përdorura si kompani kamuflazhë. Për të shmangur zbulimin, paratë u transferuan në sasi të vogla duke përdorur një teknikë të njohur si "smurfing", dhe disa nga fondet u investuan në pasuri të paluajtshme.

Ministri turk i punëve të brendshme, Ali Jerlikaja, njoftoi se janë arrestuar 20 të dyshuar, duke përfshirë edhe udhëheqësin e grupit, pronar i një hoteli. Të paktën 268 turistë të huaj janë viktima të mashtrimit. fc/

Foto: Arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR