Autoritetet turke vitin e kaluar kanë bllokuar mbi 311.000 faqe në internet
- – Autoritetet në Turqi në vitin 2024 kanë bllokuar më shumë se 311.000 faqe në internet, me çka është arritur numri më i lartë i ndalesave pasi zhvillohet një statistikë e tillë, qëndron në një raport të Asociacionit Turk për Lirinë e Shprehjes (İFÖD), i cituar nga Turkish Minut („Turkish Minute“).
- Post By Fitore Curri
- 11:38, 4 shtator, 2025
Ankara, 4 shtator 2025 (MIA) – Autoritetet në Turqi në vitin 2024 kanë bllokuar më shumë se 311.000 faqe në internet, me çka është arritur numri më i lartë i ndalesave pasi zhvillohet një statistikë e tillë, qëndron në një raport të Asociacionit Turk për Lirinë e Shprehjes (İFÖD), i cituar nga Turkish Minut („Turkish Minute“).
Sipas raportit të organizatës, i cili merret me ndjekjen e censurës në hapësirën onllajn në Turqi, mbi 80 për qind nga faqet ishin bllokuar nga Instituti Turk për Informacione dhe Telekomunikime. Në mesin e institucioneve që shpesh kanë kërkuar bllokime gjenden edhe Federata Turke e Futbollit (TFF), Ministria turke e Shëndetësisë dhe Sektori për Duhan dhe Alkool në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
Në raport bëhet e ditur se përveç ueb-faqeve të shumta të bllokuara, në vitin 2024 autoritetet turke kanë kufizuar mbi 17.000 profile në rrjetin social X, më shumë se 25.000 video në JuTjub (YouTube) dhe mbi 30.000 publikime në Fejsbuk dhe Instagram.
Në konkluzion, İFÖD vlerëson se censura në hapësirën onllajn në Turqi në vitin 2024 ka arritur “nivelin absurd dhe të paparashikueshëm”. Si shembuj theksohen bllokimi i përkohshëm i qasjes në Instagram në gusht të vitit të kaluar dhe bllokimi i pakufizuar i platformave si Wattpad, Roblox dhe Discord.
Numri i faqeve të bllokuara rritet me tempo të përshpejtuar: në vitin 2022 ishin afro 140.000, në vitin 2023 mbi 240.000, ndërsa në vitin 2024 tashmë tejkaluan 311.000, bën të ditur „Turkish Minute“, duke iu referuar të dhënave të İFÖD.
Në dekadën e fundit, Turqia vendosi ligje gjithnjë e më të rrepta drejt platformave digjitale. Në mesin e tyre është edhe ligji për dezinformata nga viti 2022, i cili e kriminalizon përhapjen e “informacioneve të pavërteta ose të gabuara” dhe parasheh dënim me burg deri tre vjet. Kritikët e qeverisë e vlerësojnë këtë ligj si mjet për shtypjen e mospajtimeve dhe mbytjen e zërave të opozitës. fc/
Foto: İFÖD