Autoritetet e Iranit: Kthimi i Trampit nuk do të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet Pekinit dhe Teheranit
- Kthimi i Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë nuk do të ketë "kurrfarë ndikimi" ndaj politikës së jashtme të Iranit, veçanërisht ndaj marrëdhënieve me Kinën, deklaroi sot këshilltari kryesor i liderit suprem të Iranit, Ali Akbar Velajati.
- Post By Sara Ademi
- 10:05, 18 nëntor, 2024
Teheran, 18 nëntor 2024 (MIA) - Kthimi i Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë nuk do të ketë "kurrfarë ndikimi" ndaj politikës së jashtme të Iranit, veçanërisht ndaj marrëdhënieve me Kinën, deklaroi sot këshilltari kryesor i liderit suprem të Iranit, Ali Akbar Velajati.
Kina është partneri më i madh tregtar i Iranit dhe blerës kryesor i naftës së tij nën sanksione.
Velajani, ish ministër i Punëve të Jashtme të Iranit (1981-1997) dhe figurë e rëndësishme në sistemin politik të Iranit, këshillon ajatollahun Ali Hamnei për çështjet e politikës së jashtme.
"Inaugurimi i Trampit nuk do të ndikojë ndaj politikës së jashtme të Iranit, veçanërisht në marrëdhëniet me Kinën", i ka thënë Velajati ambasadorit kinez në Teheran, Kong Peivu, lajmëroi agjencia Isna, e cila nuk saktëson datën e takimit.
Irani dhe Kina "kanë marrëdhënie të ngushta dhe të përzemërta kulturore-historike për një kohë të gjatë dhe kanë efekte shumë pozitive ndaj njëri tjetrit", tha përfaqësuesi iranian.
Javën e kaluar Trampi emëroi Marko Rubion, një politikan i njohur si armiqësor ndaj Kinës dhe Iranit, në krye të diplomacisë amerikane. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s