ASHMAA: Nuk u gjetën shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor gjatë periudhës parazgjedhore, mediat në përgjithësi iu përmbajtën objektivitetit dhe paanshmërisë
- – Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) në Raportin e saj për monitorimin e transmetuesve në periudhën nga shpallja e zgjedhjeve deri në fillimin e fushatës për Zgjedhjet Lokale, përkatësisht nga 10 gushti deri më 28 shtator 2025, bën të ditur se gjatë kësaj periudhe nuk janë gjetur shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor. Mediat në përgjithësi i janë përmbajtur parimit të raportimit objektiv dhe të paanshëm të ngjarjeve, por përjashtim bëjnë dy stacione televizive nga nëntë që janë monitoruar.
- Post By Fitore Curri
- 23:41, 7 tetor, 2025
Shkup, 7 tetor 2025 (MIA) – Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) në Raportin e saj për monitorimin e transmetuesve në periudhën nga shpallja e zgjedhjeve deri në fillimin e fushatës për Zgjedhjet Lokale, përkatësisht nga 10 gushti deri më 28 shtator 2025, bën të ditur se gjatë kësaj periudhe nuk janë gjetur shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor. Mediat në përgjithësi i janë përmbajtur parimit të raportimit objektiv dhe të paanshëm të ngjarjeve, por përjashtim bëjnë dy stacione televizive nga nëntë që janë monitoruar.
Monitorimi, siç tregon ASHMAA, përfshiu nëntë shërbime programore televizive kombëtare - RTM 1, RTM 2, TV Alsat-M, TV Alfa, TV Kanal 5, TV Sitel, TV Telma, TV 21-M dhe TV 24 Vesti.
"Theksi u vu në edicionin qendror të lajmeve, si dhe në emisionet speciale informative (intervista, debate, përballje) dhe në programe të tjera informative që lidhen me përgatitjet për zgjedhjet. Gjetjet e monitorimit treguan se gjatë kësaj periudhe nuk u gjetën shkelje të dispozitave të Kodit Zgjedhor", theksojnë nga ASHMAA.
Gjatë gjithë periudhës parazgjedhore, nga 10 gushti deri më 28 shtator 2025, lajmet në stacionet televizive të analizuara në nivel shtetëror, siç thuhet në kumtesën e ASHMAA-së, përmbanin pak artikuj informues (lajme/varg lajmesh/raporte) kushtuar Zgjedhjeve Lokale.
"Mediat në përgjithësi i përmbashin parimit të prezantimit objektiv dhe të paanshëm të ngjarjeve me trajtim të barabartë të pikëpamjeve dhe opinioneve të ndryshme, duke i lejuar publikut të formojë lirisht opinion mbi ngjarjet dhe çështjet. Dy stacione televizive bënë përjashtim. TV Alfa nuk e respektoi këtë parim nga një aspekt sasior (kohë e ndarë) dhe cilësor (përmes kornizave dhe toneve pozitive në lajmet dhe intervistat për partinë politike VMRO-DPMNE dhe Qeverinë dhe toneve dhe kornizave negative në lajmet për partinë politike LSDM), ndërsa TV Alsat-M nuk e respektoi këtë parim në mënyrë të vazhdueshme për shkak të tonit dhe kornizave negative për partinë politike BDI në kronikat e lajmeve", thonë nga ASHMAA.
Servisi publik radiodifuziv, nëpërmjet informacioneve të rregullta (lajme/raporte/njoftime) nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, përmbushi detyrimet e tij për të informuar rreth procesit zgjedhor.
"Serviset programore televizive të Servisit publik radiodifuziv transmetonin edhe emisione debatuese, megjithatë, jo për përballjet midis partive më të mëdha politike nga pozita dhe opozita, siç përcaktohet në nenin 76-a, paragrafi 11 i Kodit Zgjedhor, por me analistë politikë, të cilët analizuan anketat e kryera në lidhje me Zgjedhjet Lokale midis popullsisë në disa qytete në Maqedoni në RTM 1, gjegjësisht retorikën parazgjedhore të VLEN dhe BDI në RTM 2", theksojnë nga ASHMAA.
Monitorimi tregoi se disa stacione televizive komerciale bënë përpjekje edhe për të analizuar Zgjedhjet Lokale të vitit 2025 përmes emisioneve të posaçme informative (intervista, debate dhe programe të tjera informative). "Intervistat u transmetuan nga TV Alfa, Kanal 5, TV 21-M, TV Sitel dhe TV 24 Vesti, ndërsa debatet u organizuan nga TV 24 Vesti, TV Telma dhe TV 21-M", thonë nga ASHMAA.
Raporti nga monitorimi i prezantimit mediatik për periudhën prej 10 gusht deri më 28 shtator 2025 është në dispozicion në këtë link.
Foto: Arkivi i MIA-s