• e diel, 22 dhjetor 2024

Artistë spanjollë publikojnë manifestin: Nuk mund të heshtim për krimet e Izraelit

Artistë spanjollë publikojnë manifestin: Nuk mund të heshtim për krimet e Izraelit

Madrid, 17 dhjetor 2023 (MIA) - Disa qindra muzikantë, shkrimtarë dhe aktorë spanjollë, duke përfshirë edhe regjisorin Pedro Almodovar kanë publikuar një manifest me të cilin kërkojnë ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve izraelite në Rripin e Gazës ku deri tani kanë vdekur rreth 19.000 civilë palestinezë.

“Izraeli po kryen krime lufte para të cilave ne nuk mund të mbetemi pasiv”, thuhet në manifestin e publikuar në të përditshmen spanjolle "El Pais". “Izraeli nën mbrojtje politike, diplomatike, ekonomike dhe ushtarake të SHBA-së është përgjegjës për 75 vjet luftë, gjenocid dhe aparteid”.

Letra me titull “Lufta duhet të ndalet – as terrorizëm as gjenocid” është nënshkruar nga 542 persona nga 140 organizata. Mes tyre janë aktorët e famshëm spanjollë Luis Tosar, Klara Lago dhe Antonio de la Tore, këngëtarja Amaral dhe Rosalen dhe shkrimtarët Klara Uson dhe Manuel Rivas.

Ata kërkojnë që Izraeli "të ndalojë menjëherë bombardimet, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe të hapë një korridor humanitar" në Rripin e Gazës. Ata kërkojnë nga Hamasi “fundin e sulmeve terroriste dhe lirimin e pengjeve”. Artistët dënuan "sulmin terrorist të Hamasit" të kryer më 7 tetor dhe thanë se nuk duhet të jetë një justifikim për Izraelin që të vazhdojë "okupimin" "dëbimin" dhe "gjenocidin" e tij shumëvjeçar kundër popullit palestinez.

Manifesti përmban një pjesë të pikturës së famshme Gernika të Pablo Pikasos, një simbol kundër luftës që përshkruan tmerret e shkatërrimit.

Deri tani manifestin e kanë përkrahur 10.327 persona nga 32 shtete, shkruan El Pais.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR