Arrestohet edhe ish zonja e parë e Koresë së Jugut për shkak të dyshimit për korrupsion
- Ish zonja e parë e Koresë së Jugut, Kim Keon-hi, po mbahet në izolim në një qendër paraburgimi në Seul, pasi një gjykatë lëshoi urdhër arresti për të si pjesë e një hetimi për raste të shumta korrupsioni, tha sot një zyrtar i administratës së burgjeve.
- Post By Sara Ademi
- 09:40, 13 gusht, 2025
Seul, 13 gusht 2025 (MIA) - Ish zonja e parë e Koresë së Jugut, Kim Keon-hi, po mbahet në izolim në një qendër paraburgimi në Seul, pasi një gjykatë lëshoi urdhër arresti për të si pjesë e një hetimi për raste të shumta korrupsioni, tha sot një zyrtar i administratës së burgjeve.
Kim Keon-hi dhe bashkëshorti i saj, ish presidenti Xhun Suk-Jeol, u bënë kështu çifti i parë presidencial në historinë e vendit që ndodhej njëkohësisht në paraburgim, raportoi agjencia e lajmeve Jonhap e Koresë së Jugut.
Kim u transferua në Qendrën e Paraburgimit Nambu në Seulin jugperëndimor menjëherë pasi Gjykata e Distriktit të Seulit lëshoi një urdhër arresti për të vonë natën e kaluar, duke përmendur rrezikun e shkatërrimit të provave.
Ish zonja e parë do të ketë kohë të veçantë për të bërë dush dhe aktivitete fizike, në mënyrë që të mos bie në kontakt me të burgosurit e tjerë.
Prokurori Special Min Jung-ki kërkoi një urdhër arresti për të javën e kaluar me dyshimin për shkelje të Ligjit për Tregun e Kapitalit, Ligjit të Donacioneve Politike dhe Ligjit të Ryshfetit.
Sipas ligjit aktual, ish presidentët dhe gratë e tyre kanë të drejtë për mbrojtje të ofruar nga shërbimi i sigurisë presidenciale, por pas arrestimit të Kim, kjo e drejtë nuk vlen më.
Ish presidenti Xhun Suk-jeol është tashmë në paraburgim në një burg tjetër në jug të Seulit për përpjekjen për të vendosur gjendjen ushtarake dhjetorin e kaluar. sa/
foto: EPA