• e diel, 22 dhjetor 2024

Arrestime në Kuba pas protestave për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike

Arrestime në Kuba pas protestave për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike

Havana, 10 nëntor 2024 (MIA) - Qeveria kubaneze njoftoi se ka arrestuar disa persona të cilët organizonin protesta pasi uragani e la ishullin pa energji elektrike për herë të dytë në disa javë të fundit.

Në Kuba, e cila ende është nën sundimin komunist, protestat në rrugë janë të rralla. Prokuroria njoftoi se personat e arrestuar në Havana dhe provincat qendrore janë akuzuar për sulm, trazira publike dhe dëmtim të pronës.

Ishulli i Karaibeve me 10 milionë banorë mbeti pa energji elektrike të mërkurën pasi uragani Rafael goditi pjesën perëndimore.

Para dy javësh uragani Oskar mbyti tetë persona në lindje të ishullit gjatë ndërprerjeve me energji elektrike në vend për shkak të një defekti të elektranës më të madhe në ishull dhe mungesës së karburantit.

Qeveria njoftoi se gjysma e qytetarëve të Havanës tani sërish kanë energji elektrike, por pjesa më e madhe e kryeqytetit dhe provincat në afërsi nuk kanë.

Sipas prokurorisë, të arrestuarit pas protestës akuzohen për "vepra agresioni ndaj autoriteteve dhe inspektorëve të territorit, plagosje dhe shqetësim të publikut".

Grupi i të drejtave të njeriut Justicia 11J tha se më shumë se 10 persona u arrestuan në Guanabakoa, një qytet në periferi të Havanës. Vazhdon persekutimi i njerëzve në kryeqytet", kanë shkruar ata në rrjetet sociale, duke shtuar se të arrestuarit kanë marrë pjesë në mënyrë paqësore në protestë, të cilën vetë grupi e ka dokumentuar.

Organizata joqeveritare Kubaleks me seli në Majami të premten publikoi se tetë persona janë arrestuar në Enkrusiada, Kuba qendrore.

Energjia elektrike e ishullit prodhohet nga tetë termocentrale të vjetruara me qymyr, disa prej të cilave janë prishur, si dhe shtatë termocentrale lundruese të marra me qira nga kompanitë turke dhe një numër gjeneratorësh me naftë.

Mes shqetësimeve në rritje për paqëndrueshmërinë në vend, presidenti Migel Diaz-Kanel paralajmëroi se qeveria e tij nuk do të toleronte përpjekjet për të "prishur rendin publik". sa/

QËNDRONI TË LIDHUR