• e hënë, 23 dhjetor 2024

Armenia parandalon grusht-shtet të planifikuar nga Rusia, arrestohen gjashtë persona

Armenia parandalon grusht-shtet të planifikuar nga Rusia, arrestohen gjashtë persona

Jerevan, 19 shtator 2024 (MIA) - Rusia pagoi dhe stërviti një grup kryengritës për të rrëzuar qeverinë pro perëndimore të Armenisë në fillim të këtij viti, deklaruan prokurorët armenë, duke shtuar se shërbimet lokale të sigurisë e kishin parashikuar komplotin e supozuar me kohë.

Komiteti hetimor i Republikës së Armenisë kumtoi se shtatë persona do të akuzohen për "përgatitje për uzurpim të pushtetit duke përdorur dhunë dhe kërcënime me dhunë për marrjen e pushtetit".

Sipas deklaratave zyrtare, gjashtë armenë u rekrutuan për tre muaj trajnime në Rusi, duke marrë një pagë mujore prej 220.000 rubla (2.377 dollarë amerikanë). Gjithashtu, ata iu nënshtruan kontrolleve dhe testeve poligrafike për të përcaktuar besnikërinë e tyre përpara se të transferoheshin në bazën ushtarake "Arbat" në Rostov Don, Rusia jugore.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Marrëdhëniet midis Armenisë dhe aleatit të saj historik Rusisë janë përkeqësuar që kur Moska pushtoi Ukrainën në shkurt të vitit 2022, pas çka vendi ngriu anëtarësimin e tij në aleancën ushtarake CSTO (Organizata e traktatit të sigurisë kolektive), duke dërguar ndihma humanitare në Kiev dhe duke organizuar stërvitje të përbashkëta me forcat amerikane.

Në ndërkohë, rivali prej kohësh i Armenisë, Azerbajxhani, ka krijuar lidhje më të ngushta me Kremlinin, ndërsa presidenti Ilham Aliev zhvilloi bisedime miqësore me presidentin Vlladimir Putin në Baku muajin e kaluar. Moska ka akuzuar BE-në për përzierje në sferën e saj të ndikimit duke nënshkruar marrëveshje partneriteti me qeverinë armene.

Kufitarët rusë, të cilët janë stacionuar në Armeni që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, iu kërkua të tërhiqeshin në fillim të këtij viti. Kryeministri armen Nikol Pashinjan për "Politiko" deklaroi në shtator të vitit 2023 se misioni paqeruajtës rus në Nagorno-Karabah nuk e kishte përmbushur rolin e tij. Vetëm disa ditë më vonë, forcat ruse nuk ndërhynë kur Azerbajxhani filloi një ofensivë të re në enklavë, që shkaktoi një eksod masiv të të gjithë popullit armenë.

Pashinjan sot deklaroi se orientimi armen drejt Perëndimit do të vazhdojë. "Nëse shohim qoftë edhe mundësinë më të vogël reale për t'u bërë anëtare e plotfuqishme e Bashkimit Evropian", tha ai, "nuk do ta lëshojmë atë moment". rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR