Armata izraelite pretendon se ka vrarë shefin e njësisë së Hamasit në Rripin e Gazës
- Izraeli kumtoi se vrau kreun e njësisë raketore antitank të Hamasit në Rripin e Gazës, raportoi DPA.
- Post By Sara Ademi
- 20:11, 1 nëntor, 2023

Tel Aviv, 1 nëntor 2023 (MIA) - Izraeli kumtoi se vrau kreun e njësisë raketore antitank të Hamasit në Rripin e Gazës, raportoi DPA.
Muhamed Asar, një komandant i lartë i lëvizjes islamike palestineze që kontrollon rripin e mbyllur bregdetar, u vra në një sulm me avion luftarak, kumtoi sot ushtria izraelite.
Armata e Izraelit publikoi një video ku shihet shpërthimi i një ndërtese nga ajri.
Asar besohet të jetë përgjegjës për të gjitha njësitë e raketave antitank të Hamasit në Rripin e Gazës. Misionet që ai urdhëroi kishin në shënjestër civilët izraelitë si dhe ushtarët, kumtoi ushtria.
Izraeli ka bombarduar masivisht objektiva në Rripin e Gazës që nga masakra e 7 tetorit ndaj qytetarëve izraelitë nga Hamasi, të cilin Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë një organizatë terroriste.
Fundjavën e kaluar, ushtria izraelite filloi një fazë të re në luftën kundër Hamasit, me trupat e saj duke zgjeruar operacionet e tyre në terren, si dhe përdorimin e forcave ajrore dhe detare. sa/
Foto: X