Aragçi drejtuar Putinit: Rusia është në anën e vërtetë të historisë
- Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, është takuar me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, përderisa forcat izraelite kanë vazhduar me sulmet ndaj Iranit. Aragçi e falenderoi Rusinë për mbështetjen e tij dhe tha se Moska është "në anën e vërtetë të historisë".
Moskë, 23 qershor 2025 (MIA) - Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, është takuar me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, përderisa forcat izraelite kanë vazhduar me sulmet ndaj Iranit. Aragçi e falenderoi Rusinë për mbështetjen e tij dhe tha se Moska është "në anën e vërtetë të historisë".
"Marrëdhëniet mes Iranit dhe Rusisë janë thelluar më tej në vitet e fundit", tha Aragçi, duke theksuar se të dy vendet bashkëpunojnë në shumë fusha, përfshirë edhe programin bërthamor. "Rusia ishte partneri ynë dhe na ka ndihmuar. Ka marrë pjesë në bisedimet bërthamore dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm", tha ai.
Ai shtoi se Rusia qëndron pas Iranit në konfliktin aktual me Izraelin dhe pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Rusia e ndërtoi centralin bërthamor të Busherit në Iran, në jug të vendit, dhe vazhdon të marrë pjesë në mirëmbajtjen e tij. Javën e kaluar, Putini deklaroi se në central aktualisht janë rreth 200 ekspertë rusë dhe e falënderoi Izraelin që pranoi të garantojë sigurinë e tyre.
Gjatë takimit me Aragçin, Putini dënoi sulmet e SHBA-së ndaj Iranit, duke i quajtur "agresion pa asnjë justifikim ose bazë" dhe tha se populli iranian mund të mbështetet në ndihmën e Rusisë.
Ai shtoi se, përveç Aragçit, ditëve të fundit ka biseduar edhe me presidentin amerikan Donald Tramp, kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahun, presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Al Nahjan dhe presidentin iranian Masud Peskov. Data e saktë e këtyre bisedave nuk u saktësua, ndërsa Kremlini më parë kishte deklaruar se nuk ka plane që Putini të bisedojë me Trampin pas sulmeve amerikane.
Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Jurij Ushakov, ish ambasador i Rusisë në Uashington. Kremlini publikoi një video të shkurtër nga takimi, në të cilën shihet Putini duke pritur delegacionin iranian në një sallë luksoze. qa/
Foto: EPA