Arabia Saudite organizon samit të pesë vendeve arabe më 20 shkurt për të përgatitur një përgjigje ndaj planit të Trampit për Gazën
- Më 20 shkurt në Riad do të mbahet një takim i nivelit të lartë i pesë vendeve arabe, me qëllim përgatitjen e përgjigjes ndaj planit të presidentit amerikan Donald Tramp për Rripin e Gazës, i cili parasheh zhvendosjen e palestinezëve nga enklava.

Riad, 14 shkurt 2025 (MIA) - Më 20 shkurt në Riad do të mbahet një takim i nivelit të lartë i pesë vendeve arabe, me qëllim përgatitjen e përgjigjes ndaj planit të presidentit amerikan Donald Tramp për Rripin e Gazës, i cili parasheh zhvendosjen e palestinezëve nga enklava.
Në samitin do të marrin pjesë liderë nga Arabia Saudite, Egjipti, EMA, Katari dhe Jordania, si dhe autoritetet palestineze. Qëllimi i tij është të "shqyrtojë në detaje planin e Trampit dhe të përgatisë një përgjigje arabe", sipas një burimi.
Takimi do të zhvillohet disa ditë përpara një ngjarjeje të ngjashme në Egjipt, e planifikuar për 27 shkurt. Në takimin në Riad pritet të theksohet se vendet refuzojnë “zhvendosjen e banorëve të Gazës” dhe largimin e tyre nga territori, sipas të njëjtit burim. Në takim me shumë gjasa do të jetë i pranishëm ose Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmud Abas ose kryeministri Mohamad Mustafa.
Presidenti amerikan Donald Tramp propozon që Gaza të vendoset nën kontrollin amerikan dhe banorët e saj të dëbohen për të krijuar një "Rivierë të Lindjes së afërt". Megjithatë, palestinezët nuk do të kenë të drejtë të kthehen atje.
Vendet arabe kanë refuzuar njëzëri planin me të cilin parashikohet që banorët e Gazës të vendosen në Jordani dhe Egjipt. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s