• e hënë, 23 dhjetor 2024

Anketa nga “Gallup”: Më shumë se gjysma e ukrainasve duan përfundimin sa më të shpejtë të luftës përmes negociatave

Anketa nga “Gallup”: Më shumë se gjysma e ukrainasve duan përfundimin sa më të shpejtë të luftës përmes negociatave

Kiev, 20 nëntor 2024 (MIA) - Më shumë se gjysma e ukrainasve të cilët kanë marrë pjesë në anketën e agjencisë "Gallup" thonë se duan përfundimin sa më të shpejtë të luftës përmes negociatave, njofton DPA.

“Anketat e fundit nga 'Gallup' për Ukrainën realizuar në gusht dhe tetor 2024, përdëftojnë se mesatarisht 52 për qind e ukrainasve do të dëshironin që vendi i tyre të negocionte për përfundimin e luftës sa më shpejt të jetë e mundur”, bën të ditur “Gallup”.

"Pothuajse katër në çdo dhjetë ukrainas (38%), madje besojnë se vendi i tyre duhet të vazhdojë të luftojë deri në fitore."

Për krahasim, në vitin 2022 përqindja e të anketuarve që dëshironin që vendi i tyre të vazhdonte luftimet ka qenë 73%, ndërsa vetëm 22% favorizonin negociatat. Në vitin 2023, 63% ishin në favor të vazhdimit të luftës, derisa 27% për përfundimin e shpejtë të saj.

Sipas anketës, besimi i ukrainasve ndaj Perëndimit në përgjithësi tregon rënie.

Rreth 40% e të anketuarve ende e miratojnë rolin udhëheqës të SHBA-së, ndërsa 37% shprehin skepticizëm.

Menjëherë pas fillimit të luftës, vlerësimi për Uashingtonin ishte 66 për qind, ndërsa skepticizmi 16 për qind.

Shumica e popullsisë ende ka opinion pozitiv për rolin e gjermanëve, ndërsa 50% mbështesin veprimet e Berlinit. Në vitin 2022 dhe 2023, kjo përqindje ishte 46% apo 53%.

Të anketuarit që nuk e miratojnë qëndrimin e Gjermanisë janë 29%, ndërsa në vitin 2022 dhe 2023 ishte 35% dhe 20%.

Shumica e të anketuarve ende shpresojnë se Ukraina do të hyjë në BE dhe NATO, por anketa tregon rënie të optimizmit. Pjesa e ukrainasve që presin që vendi i tyre të bëhet anëtare plotfuqishme e BE-së në 10 vitet e ardhshme është ulur nga 73% në 61%. Ata që shpresonin për anëtarësim në NATO ranë nga 64% në 51%. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR