Anketë: Shumica e amerikanëve janë kundër aksionit ushtarak në Venezuelë
- – Rreth 70 për qind të qytetarëve të SHBA-së janë kundër ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë, tregoi anketa e porositur nga transmetuesi amerikan Si-Bi-Es (CBS).
- Post By Fitore Curri
- 13:04, 24 nëntor, 2025
Uashington, 24 nëntor 2025 (MIA) – Rreth 70 për qind të qytetarëve të SHBA-së janë kundër ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë, tregoi anketa e porositur nga transmetuesi amerikan Si-Bi-Es (CBS).
Vetëm 13 për qind e të anketuarve në anketën e publikuar dje thanë se vendi i Amerikës Jugore përfaqëson “kërcënim të madh” për sigurinë e SHBA-së, përderisa 76 për qind thanë se presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, nuk e “sqaroi qartë” qëndrimin e tij në lidhje me aksionin ushtarak.
Siç transmeton DPA, ushtria amerikane për momentin grumbullon forca në Karaibe. Në javët e fundit, forcat e armatosura shkatërruan rreth 20 anije të cilat u takonin kontrabandistëve të dyshuar të drogës në rajonin, ndërsa më shumë se 80 njerëz janë vrarë, sipas të dhënave amerikane.
Zyrtarisht, qeveria amerikane e thekson luftën kundër karteleve të drogës si arsye për ndërhyrjen e saj. Venezuela, nga ana tjetër, praninë e fuqishme ushtarake të SHBA-së e sheh si gjest kërcënues.
Para një jave, Uashingtoni e klasifikoi të ashtuquajturin Kartel de los Soles (Cartel de los Soles – Kartel i diejve) si organizatë e huaj terroriste.
Departamenti amerikan i shtetit e akuzon presidentin e Venezuelës Nikollas Maduro se e udhëheq kinse kartelin, për të cilin thuhet se është sindikatë kriminale e përbërë nga oficerë të forcave të armatosua të Venezuelës.
Megjithatë, ekspertët e sigurisë janë të ndarë rreth asaj nëse karteli në përgjithësi ekziston si grup i organizuar. fc/
Foto: EPA