• e martë, 24 dhjetor 2024

Anketë: Mbi 50 për qind e grekëve mbështesin dhe martesën e të njëjtës gjini dhe birësimin e fëmijëve

Anketë: Mbi 50 për qind e grekëve mbështesin dhe martesën e të njëjtës gjini dhe birësimin e fëmijëve

Athinë, 16 janar 2024 (MIA) - Shumica e grekëve, gjegjësisht 54.8 për qind janë dakord ose ndoshta janë dakord me iniciativën e qeverisë për legalizimin e martesave të të njëjtës gjini në vend, ndërsa 52.9 për qind mbështesin birësimin e fëmijëve nga çiftet e të njejtës gjini, në përputhje me rezultatet nga hulumtimi i opinionit publik i bërë nga agjencia “Mark”, për edicionin onlajn të gazetës “Proto Tema”, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Në analizën e të dhënave, gazeta shkruan se nga elementet individualë të anketës, rezulton se “përkrahësit më të mëdhenj të martesave të të njëjtës gjini janë të majtët dhe të qendrës së majtë, gratë dhe të rinjtë, ndërsa rezerva shprehen nga ata që nuk kanë një identifikim të caktuar politik, të djathtët, votues të partive më të vogla, të moshuar dhe burra”.

 Në pyetjen për mundësinë që çiftet e të njëjtës gjini mund të kenë fëmijë përmes një nëne surrogate, 65.6 për qind janë përgjigjur negativisht, pra ose nuk pajtohen ose ndoshta nuk pajtohen.

Sa i përket pritjeve personale për vitin 2024, katër nga dhjetë të anketuar besojnë se ky vit do të jetë më i mirë se viti i kaluar, ndërsa 32.3 për qind se do të jetë njësoj.

Në skenën politike, Demokracia e Re është e para me 34 për qind, në vend të dytë është PASOK me 12.6 për qind, ndërsa e treta SYRIZA me 10 për qind.

Sondazhi i opinionit publik i agjencisë “Mark”, për edicionin onlajn të gazetës “Proto Tema”, u zhvillua nga 8 deri më 15 janar me 1.093 persona të anketuar. qa

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR