Anketë nga JuGov: Lufta e tretë botërore është e mundshme brenda pesë deri dhjetë viteve
- Një anketë me rastin e 80-vjetorit të Ditës së fitores në Evropë tregon se shumë amerikanë dhe evropianë perëndimorë besojnë se Lufta e tretë botërore është e mundshme brenda pesë deri dhjetë viteve të ardhshme, ndërsa tensionet me Rusinë konsiderohen si shkaku më i mundshëm.
- Post By Fami Bajrami
- 09:42, 6 maj, 2025
Uashington, 6 maj 2025 (MIA) - Një anketë me rastin e 80-vjetorit të Ditës së fitores në Evropë tregon se shumë amerikanë dhe evropianë perëndimorë besojnë se Lufta e tretë botërore është e mundshme brenda pesë deri dhjetë viteve të ardhshme, ndërsa tensionet me Rusinë konsiderohen si shkaku më i mundshëm.
Sipas rezultateve të anketës së JuGov (YouGov) realizuar në pesë vende evropiane: Britani e Madhe, Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë, midis 41 dhe 55 për qind e të anketuarve besojnë se mundësia e shpërthimit të Luftës së tretë botërore në pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme është shumë ose mjaft e mundshme, ndërsa 45 për qind e amerikanëve ndajnë të njëjtin mendim, shkruan "Gardian".
Shumica prej 68 deri në 76 për qind, besojnë se çdo konflikt i ri do të përfshinte përdorimin e armëve bërthamore, ndërsa midis 57 dhe 73 për qind besojnë se Lufta e tretë botërore do të rezultonte me humbje më të madhe të jetëve se sa Lufta e dytë botërore.
Mes 25 dhe 44 për qind besojnë se lufta mund të shkatërrojë pjesën më të madhe të popullsisë së botës.
Rusia shpesh konsiderohet si shkaku më i mundshëm për një lufte të re botërore, ndërsa shkaku më i zakonshëm është terrorizmi.
Shumë evropianë janë ende të shqetësuar për marrëdhëniet me SHBA-në, ndërsa shumica në Spanjë (58 për qind), Gjermani (55 për qind) dhe Francë (53 për qind) besojnë se tensionet me SHBA-në përbëjnë kërcënim serioz ose mesatar për paqen në kontinent.
Mes 31 për qind në Spanjë dhe 52 për qind në SHBA madje besojnë se është e mundur që në vendet e tyre të përsëriten "krime si ato të kryera nga regjimi nazist në Gjermani në vitet 1930 dhe 1940".
Në pyetjen se kush ka bërë më shumë për të mposhtur nazistët, midis 40 dhe 52 për qind në pesë vendet kanë thënë se ka qenë SHBA, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 41 për qind thonë se ishte vendi i tyre.
Pyetja në lidhje me operacionet paqeruajtëse pas luftës tregon se shumica e të anketuarve, nga 52 në 66 për qind, besojnë se NATO kontribuoi më shumë për operacionet paqësore, ndërsa midis 44 dhe 60 për qind besojnë se KB-ja dhe BE-ja gjithashtu kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm.
foto: arkivi i MIA-s