• e enjte, 04 dhjetor 2025

Anketë: 49 për qind e banorëve të Gazës janë të gatshëm të zhvendosen

Anketë: 49 për qind e banorëve të Gazës janë të gatshëm të zhvendosen

Gazë, 6 maj 2025 (MIA) – Gati gjysma e banorëve të Gazës janë të gatshëm të zhvendosen në vende të tjera me ndihmën e Izraelit, tregojnë rezultatet nga anketa e publikuar sot, e cila gjithashtu tregoi mbështetje të konsiderueshme për protestat kundër Hamasit. 

Anketën e bëri Qendra palestineze për hulumtim të politikës dhe mendimit publik në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor të okupuar nga 1 deri më 4 maj, rreth gjashtë javë pasi forcat izraelite e vazhduan luftën në Gazë pas shkeljes së armëpushimit afatshkurtër. 

Organizata joqeveritare me seli në Ramalla, e cila financohet nga donatorë perëndimorë, njoftoi se 49 për qind e të anketuarve kishin thënë se do të ishin të gatshëm t’i drejtohen Izraelit për ndihmë që të emigrojnë përmes porteve dhe aeroporteve izraelite, përderisa 50 për qind kishin thënë se nuk do ta bënin këtë. 

Autoritetet izraelite thonë se Izraeli do tu ndihmojë banorëve të Gazës të cilët duan të largohen nga enklava, por deri më tani nuk janë ndërmarrë kurrfarë hapa të mëdhenj që të binden vendet e tjera që t’i pranojnë palestinezët. 

Edhe krahas faktit se në luftën 19 muajshe, Izraeli ka rrafshuar pjesën më të madhe të Gazës dhe vendosi bllokadë të ndihmës humanitare, për çka 2,3 milionë banorë janë në prag të urisë, shumë palestinezë besojnë se largimi do të nënkuptonte dorëzim të atdheut të tyre Izraelit. 

Ministra të caktuar izraelitë nuk fshehin se duan ta zhvendosin të gjithë popullsinë nga Gaza, në përputhje me planin e presidentit amerikan Donald Tramp, i cili do ta shndërronte zonën në pushimore bregdetare nën kontroll të SHBA-së. 

Anketa, gjithashtu, tregon se 48 për qind të palestinezëve në Gazë i mbështesin protestat kundër Hamasit të cilat shpërthyen në pjesë të ndryshme të enklavës, që është dukshëm më shumë se sa te palestinezët në Bregun Perëndimor, ku vetëm 14 për qind i mbështesin protestat. fc/

Foto: Arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR