ANEB: Centrali bërthamor në Zaporozhje nuk është i rrezikshëm për mjedisin pavarësisht ndërprerjes së energjisë elektrike
- Centrali bërthamor Zaporozhje në Ukrainën juglindore, i cili është pushtuar nga armata ruse, nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë derisa punon me ndihmën e gjeneratorëve rezervë, deklaroi shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) Rafael Grosi.
- Post By Sara Ademi
- 14:29, 1 tetor, 2025
Vjenë, 1 tetor 2025 (MIA) - Centrali bërthamor Zaporozhje në Ukrainën juglindore, i cili është pushtuar nga armata ruse, nuk paraqet rrezik të drejtpërdrejtë derisa punon me ndihmën e gjeneratorëve rezervë, deklaroi shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) Rafael Grosi.
"Centrali bërthamor më i madh evropian është pa energji elektrike të jashtme të paktën një javë, që është bindshëm ngjarja më e gjatë e tillë në më shumë se tre vjet e gjysmë të luftës", tha Grosi në një deklaratë të publikuar mbrëmë.
Njoftimi erdhi pasi presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e përshkroi situatën në termocentral si "kritike", pasi ai mbeti pa energji elektrike më 23 shtator për herë të dhjetë që nga fillimi i luftës.
Kjo është ndërprerja më e gjatë e energjisë elektrike në Zaporozhje pasi Rusia e ndërmori kontrollin mbi elektranën.
Udhëheqësia e objektit e ka informuar ANEB-in se ende ka rezerva të karburantit për më shumë se 10 ditë punë, citohet në kumtesë.
"Nëse centrali aktualisht punon në gjeneratorët e tij të emergjencës me naftë dhe nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë derisa ato vazhdojnë me punë, është e qartë se kjo situatë nuk është e qëndrueshme për sa i përket sigurisë bërthamore", tha Grosi, duke shtuar se "asnjë palë nuk do të kishte interes nga një fatkeqësi bërthamore".
Grosi tha se është në kontakt të vazhdueshëm me të dyja palët, me qëllim që të mundësohet rivendosja e shpejtë e lidhjes së centralit me rrjetin elektrik.
Moska dhe Kievi e kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për rrezikimin e një katastrofe bërthamore duke sulmuar termocentralin dhe duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit për ndërprerjen e re të energjisë.
Gjashtë reaktorët e centralit, të cilët prodhonin një të pestën e energjisë elektrike të Ukrainës para luftës, u mbyllën pasi Moska mori kontrollin dhe kanë nevojë për energji elektrike për të mirëmbajtur sistemet e ftohjes dhe për të parandaluar një aksident bërthamor. sa/
foto: MIA arkivi