• e diel, 22 dhjetor 2024

Anëtaret e BE-së ranë dakord për një direktivë për përforcimin e organeve për luftimin e diskriminimit

Anëtaret e BE-së ranë dakord për një direktivë për përforcimin e organeve për luftimin e diskriminimit

Bruksel, 20 shkurt 2024 (MIA) - Këshilli i BE-së sot e harmonizoi qëndrimin e tij në lidhje me Propozim-direktivën për përforcimin e rolit të organeve përgjegjëse për luftimin e diskriminimit në bazë të gjinisë, racës, origjinës etnike, fesë, aftësi së kufizuar, moshës dhe orientimit seksual.

Propozimi duhet të ndihmojë organet për promovimin e barazisë dhe të përmirësojë efikasitetin e tyre në luftën kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe në mbështetjen e viktimave, si dhe të garantojë pavarësinë e tyre përmes përcaktimit të standardeve minimale për funksionimin e tyre.

Sipas sekretareshës shtetërore belge për barazi gjinore, mundësi të barabarta dhe diversitete Mari-Kolin leroa, kjo direktivë ndjeshëm do të forcojë rolin e organeve të barazisë si mbrojtës të të drejtave të qytetarëve evropianë, vlerave të BE-së dhe parimeve kundër diskriminimit.

Me rregulloren garantohet pavarësia e plotë e këtyre organeve nga ndikimet e jashtme, institucionet qeveritare apo cilido subjekt tjetër, në mënyrë që të mund të kryejnë efektivisht rolin për të cilin janë formuar.

Organet duhet të kenë staf dhe burime të mjaftueshme dhe detyrat e tyre përfshijnë mbledhjen e të dhënave dhe rritjen e ndërgjegjësimit për barazinë, dhënien e mendimeve, kryerjen e hetimeve, si dhe ndihmën ndaj viktimave të diskriminimit, duke përfshirë edhe para gjykatave,

Komisioni Evropian e propozoi këtë direktivë në dhjetor 2022 me qëllim që të sigurojë trajtim të barabartë midis të gjithë personave në BE, pavarësisht nga origjina e tyre racore ose etnike, barazi në punësim pavarësisht nga besimet e tyre fetare, aftësia e kufizuar, mosha ose orientimi seksual, si dhe barazia ndërmjet grave dhe burrave për çështje që lidhen me sigurimet shoqërore dhe qasjen në mallra dhe shërbime.

Kjo direktivë është paraqitur së bashku me propozimin për standardet për organet e barazisë në fushën e trajtimit të barabartë dhe mundësive të barabarta midis grave dhe burrave në punësim dhe zgjedhjen e profesionit.

Këshilli i BE-së, që nga viti i kaluar në qershor ra dakord për Propozim-direktivë për përforcimin e rolit të organeve përgjegjëse për luftimin e diskriminimit, por u imponua nevoja për ndryshime shtesë të saj dhe harmonizim me rreguloren për standarde për organet për mundësi të barabarta midis grave dhe burrave gjatë punësimit, për të cilën Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian arritën një marrëveshje në dhjetor 2023.

Teksti i Propozim-Direktivës së sotme të harmonizuar tash do t'i dorëzohet Parlamentit Evropian, pas së cilës do të vijojë procesi i "trilogut" për të përcaktuar versionin përfundimtar të dokumentit ligjor.

Pritet që të dy direktivat të miratohen në maj të këtij vitit, pas së cilës vendet anëtare do të kenë afat prej një viti për të harmonizuar legjislacionet e tyre kombëtare me to. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR