Ambasadori i Rusisë në OKB i quajti "jointeresante" propozimet e ekipit të Trampit për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë
- Ekipi i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp, ende nuk i ka ofruar asgjë “interesante” Moskës në lidhje me përfundimin e luftës në Ukrainë, tha Vasilij Nebenzja, ambasador i Rusisë në OKB.
Uashington, 3 janar 2025 (MIA) - Ekipi i presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Tramp, ende nuk i ka ofruar asgjë “interesante” Moskës në lidhje me përfundimin e luftës në Ukrainë, tha Vasilij Nebenzja, ambasador i Rusisë në OKB.
"Këto janë disa sinjale të paformuara dhe të paqarta gatishmërie për diçka. Shpesh dëgjojmë fjalën “ngrirje e konfliktit”. Presidenti (Vladimir) Putin herën e fundit më 19 dhjetor deklaroi qartë dhe pa mëdyshje se në çfarë kushtesh jemi gati të bisedojmë, jo për ta ngrirë, por për t'i dhënë fund këtij konflikti... Por tani për tani, asnjë nga sinjalet e administratës së re amerikane nuk tregon se është diçka që do të ishte interesante për ne", tha Nebenzja në një intervistë për televizionin "Rusia-24".
Sipas tij, kohët e fundit “sinjale për disa marrëveshje” kanë ardhur edhe nga pala ukrainase, por që nuk mund të merren seriozisht.
"Pyetja është se kur më në fund do të mund të supozojmë për vendimin e (Presidentit të Ukrainës, Vladimir) Zelenski për t'u ulur në tryezën e bisedimeve, në cilën linjë të fushëbetejës do të ketë pika kontakti. Sa më shumë shtyhet, aq më keq do të ishin kushtet për të, për këtë i është thënë kohë më parë. Vendimi është i tij", theksoi Nebenzja. ls/