• e mërkurë, 16 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Ambasadat e SHBA-së mbarë botën paralajmërojnë: Janë ndaluar programet për inkluzion

Ambasadat e SHBA-së mbarë botën paralajmërojnë: Janë ndaluar programet për inkluzion

Uashington, 1 prill 2025 (MIA) - Administrata e presidentit amerikan Donald Tramp ka paralajmëruar furnizuesit lokal të ambasadave dhe konsullatave të SHBA-së jashtë vendit, si dhe përfituesit e granteve amerikane, se ata duhet të respektojnë ndalesën për programe për të promovuar diversitetin, barazinë dhe përfshirjen, në të kundërtën rrezikojnë të humbasin mjetet që u paguhen.

"Ambasada e Amerikës në Spanjë, si dhe të gjitha ambasadat tona mbarë botën, i njofton furnizuesit tanë lokalë të produkteve dhe shërbimeve për rregullat e reja, të bazuara në urdhrat e fundit të presidentit Tramp", deklaroi zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Spanjë.

"Duam të sigurojmë se partnerët tanë do të respektojnë të gjitha ligjet federale kundër diskriminimit dhe se furnizuesit nuk do të marrin pjesë në programe që promovojnë diversitet, barazi dhe përfshirjen në një mënyrë që bie ndesh me ligjet ekzistuese federale", shtoi ai.

Paralajmërimet me shkrim pasqyrojnë qëllimin e Trampit për të zgjatur dekretin që i nënshkroi ai në janar jashtë kufijve të SHBA-së. Ata sugjerojnë që agjencitë qeveritare duhet të shfuqizojnë politikat e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në institucionet federale, tek nënkontraktorët federalë dhe sektori privat.

Kjo ka shkaktuar dilema ligjore në SHBA, duke marrë parasysh se kompanitë amerikane për një kohë të gjatë kanë mbështetur politika të tilla, duke përdorur të dhëna për përkatësinë racore dhe etnike për të inkurajuar diversitetin në punësim dhe praktikat e tjera korporative.

Në letrën e dërguar deri tek  kompanitë jashtë SHBA-së theksohet se mospërputhja me kërkesat e reja do të rezultojë në ngrirjen e pagesave për furnizuesit.

Një nga të prekurit është dhe gjigandi gjerman i automobilave BMV, i cili mori letër nga Ambasada amerikane në Bullgari, ku kompania shet makina. Në shkresën kërkohet që BMV-ja të rishikojë politikat e saj të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes, deklaroi një nëpunës. Në deklaratë për Rojtersin, siç transmeton BTA, BMV porositi: "Perspektivat dhe talentet e ndryshme e bëjnë kompaninë tonë më të fortë dhe kontribuojnë në përforcimin e forcës sonë inovative dhe konkurrencës". rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR