Ambasada e SHBA-së për dështimin e konstituimit të kuvendit të Kosovës: Integriteti i institucioneve është rrezikuar
- Ambasada e SHBA-së në Prishtinë vlerësoi se dështimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka ngadalësuar dhe rrezikuar integritetin e institucioneve të Kosovës dhe përparimin në arritjen e qëllimeve të Kosovës.
Prishtinë, 28 korrik 2025 (MIA) - Ambasada e SHBA-së në Prishtinë vlerësoi se dështimi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka ngadalësuar dhe rrezikuar integritetin e institucioneve të Kosovës dhe përparimin në arritjen e qëllimeve të Kosovës.
Në përgjigjen e Ambasadës për koha.net theksohet se "ky bllokim i vazhdueshëm po vonon progresin në aspiratat e ardhshme të Kosovës dhe po rrezikon integritetin e institucioneve për të cilat populli i Kosovës luftoi aq fortë për t’i krijuar".
"Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë t’i marrin seriozisht përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë së bashku për të arritur një marrëveshje për konstituim të Kuvendit, që nënkupton zgjedhjen e një kryetari dhe zëvendëskryetarëve", thuhet në përgjigjen.
Ata duhet t’i përdorin javët e ardhshme për të gjetur një rrugë përpara që siguron një udhëheqje të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën
"Udhëheqësit politikë nuk duhet të mbështeten te Gjykata Kushtetuese për ta rregulluar një bllokim politik që vetëm ata mund ta zgjidhin. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tyre ta përmbushin angazhimin e tyre për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Kosovës.
Ambasada deklaroi gjithashtu se SHBA-ja me padurim pret të bashkëpunojë me qeverinë e ardhshme të Kosovës "për përparimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit rajonal".
Nga e diela është në fuqi një masë e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me të cilën u ndalohet deputetëve të marrin vendime ose të ndërmarrin veprime pas skadimit të periudhës 30-ditore për konstituim, të përcaktuar me vendimin e 26 qershorit. Ndalesa është në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën në shkurt. ls/
Foto: Arkivi i EPA-s