• e premte, 05 dhjetor 2025

Amazon përveç çmimeve do të shfaqë edhe pjesën e tarifave, Shtëpia e Bardhë beson se "ky është një akt armiqësor"

Amazon përveç çmimeve do të shfaqë edhe pjesën e tarifave, Shtëpia e Bardhë beson se

Uashington, 29 prill 2025 (MIA) - Shtëpia e Bardhë sot ashpër sulmoi Amazonin për shkak të planit të faqes së saj përveç çmimit të përgjithshëm të produkteve do ta tregojë edhe vlerën që bie ndaj tarifave që i vendosi presidenti amerikan Donald Tramp.

"Ky është një akt armiqësor dhe politik i Amazonit. Pse Amazoni nuk e bëri të njejtën kur administrata e Bajdenit shkaktoi rritje më të madhe të inflacionit në 40 vitet e fundit", deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karolina Levit.

"Kjo është edhe një arsye pse amerikanët duhet të blejnë produkte amerikane", shtoi ajo.

Pas deklaratave të saj, aksionet e Amazonit, një gjigant tregtar i internetit i themeluar nga Xhef Bezos, ra për më shumë se dy për qind në tregtimin para bursave.

Bezos, një nga njerëzit më të pasur në botë, zotëron gjithashtu gazetën "Uashington Post" dhe njihet për faktin se ishte ndër të ftuarit në inaugurimin e Donald Trampit në vitin 2017, por më vonë pati shumë mosmarrëveshje me administratën  e Trampit mbi një sërë çështjesh politike.

Amazon deri tani nuk i komentoi deklaratat e Shtëpisë së Bardhë.

Administrata e Trampit po i përgjigjet një raporti në media se Amazon planifikon t'u tregojë qartë blerësve se si tarifat ndikojnë në çmimin e një produkti të caktuar. Sipas njerëzve të njohur me planin, kjo shumë do të shfaqet pranë çmimit total të produktit.

Në një konferencë për shtyp, një gazetar  pyeti Levitin dhe ministrin amerikan të Financave, Skot Besant, nëse ishin dakord që gjesti i Amazonit e bëri të qartë se tarifat nuk po paguheshin nga Kina, por nga konsumatorët amerikanë, për të cilën Levit tha se "sapo foli me presidentin në lidhje me njoftimin e Amazonit".

Amazon nuk është shitësi i parë me pakicë që u tregon konsumatorëve efektin e tarifave të reja në çmime. Markat kineze të modës së shpejtë "Shein" dhe "Temu" kanë futur gjithashtu mbishpagime të konsiderueshme ditët e fundit. "Temu", për shembull, tani e shfaq qartë "taksën e importit" kur llogarit çmimin total, i cili për artikuj të caktuar mund të arrijë në rreth 145 përqind.

Presidenti amerikan, Donald Tramp më 2 prill, në ditën që e quajti "Dita e çlirimit" (Liberation Day), njoftoi paketën më gjithëpërfshirëse të tarifave në historinë moderne amerikane. Në kuadër të asaj nisme ishte vendosur tarifë universale prej 10 për qind pothuajse e të gjitha produkteve të importuara, ndërsa për disa vende, si Kina, tarifat arritën edhe deri në 145 për qind.

Trampi i prezantoi këto masa si "deklaratë ekonomike për pavarësi", duke pretenduar se ato do të rigjallëronin industrinë amerikane dhe do të korrigjonin padrejtësitë tregtare të vjetra.

Megjithatë, tarifat e Trampit kanë shkaktuar një valë kritikash dhe shqetësimesh. Ekonomistët paralajmërojnë për një rritje të mundshme të inflacionit dhe rrezikun e recesionit, ndërsa partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Kinën, kanë njoftuar kundërmasa. Shumë kompani amerikane, të përballura me rritjen e kostove të importit, kanë njoftuar tashmë rritje të çmimeve për produktet e tyre, duke i rënduar më tej konsumatorët amerikanë. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR